Haradinaj për taksën: Serbia s’ka ndryshuar karshi Kosovës, pse duhet t’i nënshtrohemi?

“Mendoj që nuk ka ndryshuar Serbia në raport me Kosovën. Taksa është derivat i një agresiviteti të madh kundër Kosovës qoftë në arenën ndërkombëtare, qoftë përmes influencës së vet me Listën Serbe apo në kohën kur Kosova ishte kandidate për anëtarësim në INTERPOL. Ishte kjo periudhë kur Kosova vendosi taksën 10 për qind dhe më pas edhe me taksën 100 për qind”.

“Nga atëherë deri më sot nuk ka ndryshuar pozicioni i Serbisë. Nëse Serbia nuk ka ndryshuar, pse duhet ne të dorëzohemi ose nënshtrohemi karshi Serbisë e cila vazhdon me trende të njëjta kundër Kosovës?”.

Haradinaj në Info Magazine të Klan Kosovës ka treguar se pse nuk e mbështet opsionin që Kosova ta zëvendësojë taksën 100 për qind me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë.

“Reciprociteti është krejt diçka tjetër. Në momentin që e hap tregun e Kosovës për Serbinë kjo nënkupton rreth 500 milionë euro në vit treg për Serbinë. Nëse ata kanë vajtuar që 13-14 muaj që po i humbin nga dy milionë euro në ditë, pse ne duhet të jemi të gatshëm që ta ofrojmë tregun e Kosovës?”.

“Në rast se flasim për reciprocitet po supozojmë edhe për dokumentet e udhëtimit. Serbia nuk i lejon qytetarët e Kosovës që të kalojnë në Serbi me dokumente të Kosovës. Çfarë do të bëjmë ne? A do ta ndërprejmë qarkullimin e lirë të qytetarëve të Luginës së Preshevës që të vijnë në Kosovë?”.

Ai ka treguar edhe se për çfarë arsye ish-kryeministri Ramush Haradinaj i ka shkruar një letër kryeministrit të ri Albin Kurtit ku i ka kërkuar që mos ta heqë taksën 100 për qind.

“Në letrën që i është drejtuar kryeministrit të ri i është bërë apel për një rikthim të memories se nga ka shkuar vet Albin Kurti, populli i Kosovës dhe Kosova”.

Haradinaj ka insistuar se heqja e taksës është një favor i drejtpërdrejtë për Serbinë.

“500 milionë euro për Serbinë janë shumë para, derisa Kosova nuk e ka asnjë profit nga heqja e taksës. Me heqjen e taksës, Serbia me automatizëm fiton dy milionë euro në ditë”.

“Kosova nuk ka avancuar në asnjë pozicion në raport me politikën serbe – e njëjta politikë dhe i njëjti agresivitet”.

“Kushti i Serbisë për rifillimin e dialogut është heqja e taksës. Taksa do të duhej të hiqej moti, ose ndoshta të mos vendosej fare. Serbia ka mundur ta njohë Pavarësinë e Kosovës. Deri kur Serbia ta njohë realitetin në Kosovë, taksa duhet të mbetet në fuqi”.

“Taksa është karta e fundit përballë Serbisë që ta detyrojmë që ta njohë Kosovën shtet. Nëse ne sot e japim me kaq lehtësi tregun e Kosovës, nesër çfarë do të japim? E di që do të vijnë oferta të reja edhe nga miqtë tanë. A do t’i nënshtrohemi Serbisë edhe për ‘Zajednicën’? Po hapen shumë rrugë, prandaj thirrja jonë publike është që të mos i nënshtrohemi Serbisë në këto rrethana “.

“Nuk është asnjë produkt i Kosovës që sot është i lirë në tregun e Serbisë. Nuk janë as me banderolë të Kosovës, pra në një mënyrë janë të zhveshura prej shtetësisë së Kosovës. Tregu i Serbisë nuk është i lirë për produktet e Kosovës”.

Por, a është e gatshme AAK-ja që ta mbrojë taksën 100 për qind?

“Ne nuk jemi ‘Boshko Buha’ që të hedhim bomba. Po flasim për demokraci. Fillimisht do të shkojmë me seancë të jashtëzakonshme nëse iniciohet procedura e heqjes së taksës në Qeverinë e Kosovës”.

A mund të ketë protesta – ashtu si AAK-ja i bënte dikur bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje që tash është në pushtet?

“Njerëzit e Vetëvendosjes janë patriotë dhe janë vlerë e shtuar e shoqërisë sonë. Ata do ta bëjnë presionin e vet që Kurti mos ta heqë taksën, sepse e dinë shumë mirë që taksa ka qenë një rikthim i fuqishëm të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së ka komentuar edhe reagimet e partnerëve të koalicionit qeverisë dhe liderit të opozitës karshi taksës.

“Nuk mendoj se edhe vet kryeministri i ri e ka në vullnetin e tij personal. Ndoshta edhe nuk është i përgatitur që t’i rezistojë presioneve”.

“E përgëzoj qëndrimin e Isa Mustafës dhe Kadri Veselit, sepse po e bindim edhe bashkësinë ndërkombëtare që heqja e taksës nuk është zgjidhje, por do të krijojë edhe më shumë probleme të reja në të ardhmen”.