Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe njëherësh kandidati i kësaj partie për kryeministër, Ramush Haradinaj, në ditën e dytë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme e ka kujtuar periudhën kur gjatë qeverisjes së tij, Kosova u ka vendosur taksë prej 100 për qind produkteve të Serbisë.
Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se në atë kohë, taksa u pati dhënë mbështetje prodhuesve vendorë.
“Gjatë qeverisjes Haradinaj rëndësi të veçantë i kemi kushtuar fuqizimit të prodhimeve “Made in Kosova”. Taksa 100% e vendosur ndaj produkteve serbe ndikoi pozitivisht në inkurajimin e prodhuesve vendorë për rritje të prodhimit dhe të potencialit të tyre. Duke fuqizuar prodhuesin vendor, forcojmë shtetin tonë”, ka shkruar ai.
E pas një tubimi elektoral të zhvilluar të enjten në Komunën e Gjilanit, lideri i AAK-së ka theksuar se ky qytet i ka thënë jo pushtetit pa vizion.
“Gjilani sot dha mesazh të qartë politik: mjaft me stagnim, mjaft me mashtrime, mjaft me pushtet pa vizion. Kjo ishte revoltë, e kjo revoltë po shndërrohet në shpresë dhe vendosmëri për ndryshim me Aleancën në krah. Gjilani u ngrit fuqishëm dhe pa dilema në mbështetje të vizionit të Aleancës, këtë na dëshmuan në tubimin që patëm”, ka shkruar Haradinaj në rrjete sociale.
Para mbështetësve të AAK-së në Gjilan, Haradinaj ka bërë premtim për rritje të pagave deri në 100 për qind për prokurorë dhe për gjyqtarë, e po ashtu rritje të pagave edhe për policët, si dhe fuqizim të sundimit të ligjit.
Gjatë ditës së enjte, Haradinaj ka takuar edhe ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, me të cilin ka biseduar për projekte infrastrukturore, për mundësinë e bashkëpunimit për projekte ndërkufitare, për promovimin e turizmit malor të qëndrueshëm dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.




