Haradinaj për rritjen e tatimit në pronë: Qeveria po e gënjen popullin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria po gënjen popullin pasi po merr vendime që janë në kundërshtim me premtimet që ka dhënë, pas rritjes së çmimit të tatimit në pronë

Të hënën dhe të martën qytetarë të shumtë reaguan nëpërmjet rrjeteve sociale pasi tatimi në pronë për vitin 2023 u erdhi me dyfish të vlerës në krahasim me tatimin në pronë të një viti më herët. Komunat kanë fajësuar Ministrinë e Financave për vlerësimin e ri të pronave, ndërsa Murati në Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike ka thënë se me këtë vlerësim “komunat kanë qenë të pajtuara”.

“Fatura e tatimit në pronë për vitin 2023 është shumëfishuar me një ndërhyrje të Ministrisë së Financave. Jetesa e qytetarëve është vështirësuar nga rritja e çmimeve. Përkundër këtyre fakteve të dukshme nuk kishte asnjë veprim nga Qeveria e Kosovës për të frenuar inflacionin dhe për të lehtësuar jetën e qytetarëve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas tij, ky veprim i Qeverisë është një goditje ndaj financave të qytetarëve.

“Me dhunë e përmes ligjit, financat e qytetarëve po barten nga xhepi i tyre në arkën e shtetit dhe në fund as nuk shpenzohet buxheti dhe as nuk mbështetet qytetari i Kosovës. Mirë po e gënjen popullin. I mirë është edhe në veprime që janë në kundërshtim me premtimet dhe me Republikën e Kosovës. Por durimi ka kufi! Mjaft!”, ka shkruar tutje Haradinaj.