Haradinaj për Kurtin: Mashtrues ordiner, qasja e tij në dialog është e rrezikshme

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e konsideron të rrezikshme e të gabuar çasjen e kreut të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në procesin e dialogut me Serbinë. Haradinaj ka thënë se në takimin e djeshëm përballë palës serbe në Bruksel, Kurti është dashur të shkojë me vetëm një pikë, njohjen reciproke.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e quan Kurtin “‘mashtrues ordiner”.

“Është pikërisht ajo që kemi paralajmëruar rreziku nga mashtruesi Kurti, pra në këtë rast Kurti është mashtrues ordinder dhe po mashtron popullin e Kosovës me një çasje të rrezikshme në dialog”, thotë Haradinaj.

Sipas politikanit opozitar, Kurti po e rikthen dialogun në fillim dhe po kërkon të krijojë marrëdhënie të re ekonomike me Serbinë, më të avancuar se nisma e njohur si Minishengen.

“Është një qasje e rrezikshme e kryeministrit Kurti, pra e gabuar, ai po e rikthen dialogun në fillim, po kërkon me kriju marrëdhënie të re ekonomike tregtare pra me pikën 1 mes Kosovës dhe Serbisë, më të avancuara se Mini-shengeni, para njohës, që është një rrezik dhe njëkohësisht është proces që përfshinë BE-në dhe që stërzgjatet”, thotë Haradinaj.

Të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë për herë të parë në takim përballë presidentit serb, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas takimit në Bruksel, Kurti ka shkruar se ka shprehur gatishmërinë për dialog konstruktiv dhe njohje të ndërsjellë.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se nuk janë pajtuar për agjendën e dialogut ndërkohë ka bërë publike propozimet e tij të shtruara aty.

Sipas kryeministrit Kurti, pala serbe nuk është përgjigjur për propozimin e parë, ndërkohë te pikat e tjera i ka refuzuar.

Takimi i radhës në Bruksel pritet të mbahet me 25 korrik.