Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë në Kuvend se nuk është koha të diskutohet edhe një herë se kush është veteran i vërtetë apo jo.
“Është koha kur duhet t’i respektojmë dhe t’i nderojmë ata”, tha Haradinaj, teksa fliste për të rënët e lirisë dhe familjarët që kanë humbur më të dashurit e tyre.
“Qeveria dhe të gjithë kur ju dalim përballë fëmijëve dhe të vejave, nënave, familjarëve e të rënëve për liri, vërtetë ata e meritojnë një lajm të mirë prej nesh. Nuk e kanë lajmin e vetëm e të mirë që presin prej nesh që t’iu rriten pensionet, por nuk e meritojnë ofendimin që bash në këtë kohë të fillohet edhe një herë të kthehen diskutimet kush është veteran i vërtetë apo jo, nuk është koha e tillë”, tha Haradinaj.
“Ligji i pagave është në një proces, por iu lus që të mos harrojmë që të fillojmë nga kategoritë e lirisë, të paktën që të përfshihen në rritje të këtyre pensioneve. Një pjesë e madhe e tyre janë në vështirësi dhe presin një kujdes nga Qeveria. Kjo do të ishte reflektim nga ajo që ndjejmë sot”, tha kreu i AAK-së, transmeton Klankosova.tv.