Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës, ka nisur me akuza të partive opozitare ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Deputetët opozitarë kanë reaguar në lidhje me fjalimin e Kurtit pas Darkës tradicionale në Bruksel, ku tha se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të të ecin më shpejt nëse ndër të tjera eliminohen nga skena politike e institucionale kriminelet e luftës.
Kreu i AAK-së, Ramush Hardinaj, ka pyetur Kurtin “mos është njeri i rekrutuar nga Serbia?”.
“A je i rekrutuar nga shërbimet serbe gjatë kohës që je mbajt në burg, a ka diçka Serbia mbi ty që po të mbanë peng sot e kësaj dite. A është në rrezik Kosova prej teje si i rekrutuar nga shërbimet serbe nga çlirimtarët që janë detyruar të mbajnë pushkën në dorë me luftu për lirinë e vendit. Kur shkon në Bruksel, trego të lutem çka po i sjell Kosovës me shkuarjen atje”, ka thënë Hardinaj.
Shefi i GP të PKD-së Abelard Tahiri gjithashtu ka vazhduar me kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti lidhur me deklarimet e tij në Bruksel.
“Para dy ditësh Kurti mori pjesë në darkën e Borellit e inkurajojmë Kurtin të merr pjesë në të gjitha iniciativat rajonale që kanë qëllim zhvillimin. Por meqë nuk publikohet ajo që flitet brenda duhet diskutuar ajo që është deklaruar jashtë. Deklarimet e tij më mirë të mos i kishim dëgjuar fare” është shprehur Tahiri.
Më tutje Tahiri e ka quajtur skandaloze deklaratën e Kurtit bërë dy ditë më parë.
“Një deklaratë skandaloze ku thotë se duhet bërë eliminimin nga skena politike të kriminelëve të luftës në Ballkanin Perëndimor. Ai e zgjeroi hartën nuk e la vetëm Serbinë e luftë me Serbinë përveç Kroacisë e Bosnjës ka pasur edhe Kosova. Ne kriminelë lufte nuk kemi pasur kemi pasur djem e vajza që kanë luftuar për ta mbrojtur Kosovën. Po ia kujtojmë Kurtit që kriminelë të luftës janë, Radovani, Ivani, Milloshevici, Llazarevici, Arkani këta janë përgjegjës për mbi 400 maskara. Ne i kërkojmë Kurtit të jap sqarime se kush janë kriminelë në Kosovë që duhet larguar nga institucionet” ka thënë Tahiri nga foltorja e Kuvendit.
Ndërkohë, deputetja Ariana Musliu – Shoshi, ka folur për vendimin e djeshëm të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për lirim nga detyra të ambasadorëve të emëruar politikisht.
“Me tërheqjen e ambasadorëve, ministrja e Punëve të Jashtme ka tentuar të kopjojë praktika nga vende të tjera, të cilat këtë çështje e kanë të rregulluar me ligj. Por të tërheqësh 13 ambasadorë në një kohë, është barrë e rëndë për diplomacinë e Kosovës. Ky veprim rrezikon funksionimin e shërbimit të jashtëm. Kjo do të thotë hakmarrje në shpinë të Kosovës, ky veprim është dashur të bëhet në mënyrë graduale dhe jo me inate politike”, ka thënë deputetja e PDK-së në pikën “deklarime jashtë rendit të ditës”. /Kohanet/