Haradinaj: Lutjet tona po ashtu shkojnë drejt Papa Françeskut, presim që shpejt edhe Selia e Shenjtë do ta njeh Kosovën

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj konsideron se Kosova hodhi hap të madh përpara me marrëveshjen në Uashington.

Sipas tij, me njohjen e Kosovës nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshmuan lidership botëror dhe siç ka shkruar ai, konfirmuan interesin strategjik për paqe e stabilitet në Kosovë dhe rajon.

Ai, thotë se tash pritjet janë tek Vatikani.

“Lutjet tona po ashtu shkojnë drejt Papa Françeskut, me shpresën që shpejt edhe Selia e Shenjtë do ta njeh Kosovën tonë si shtet të pavarur e sovran”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj në Facebook ka shkruar se pritjet e Kosovës janë që edhe BE të tregojë përkushtimin dhe seriozitetin e njëjtë, për të lehtësuar procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet e saj. E po ashtu edhe përmbushjen e premtimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Postimi i plotë:

Qytetarë të dashur,

Kosova hodhi një hap të madh përpara me marrëveshjen në Ëashington. Me njohjen e Kosovës nga shteti i Izraelit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe njëherë dëshmuan lidership botëror dhe konfirmuan interesin strategjik për paqe, prosperitet ekonomik e stabilitet në Kosovë dhe rajon.

Tani pritjet tona janë që edhe Bashkimi Evropian të tregojë përkushtimin dhe seriozitetin e njëjtë, duke lehtësuar procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet e saj, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, si dhe përmbushjen e premtimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Lutjet tona po ashtu shkojnë drejt Papa Françeskut, me shpresën që shpejt edhe Selia e Shenjtë do ta njeh Kosovën tonë si shtet të pavarur e sovran.

Vetëm të bashkuar, me besim e mirëkuptim, mund t’ia dalim.

I juaji, Ramush Haradinaj