Haradinaj – Lajçakut: BE-ja nuk ka kredibilitet të ndërmjetësojë mes Kosovës dhe Serbisë

– Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e refuzoi ftesën e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për Dialogun me Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak për bisedën telefonike, duke porositur se, për “rrethanat e paqarta politike” momentale, një bisedë e tillë është e panevojshme.N ë letrën që ia dërgoi diplomati sllovak, Haradinaj e përsërit qëndrimin e tij se “dialogu me ndërmjetësimin e BE-së, i udhëhequr nga ish-përfaqësuesja e lartë Federika Mogerini ka devijuar nga temat e rëndësisë esenciale” për negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit. Qëndrim të tillë ish-kryeministri i Kosovës shpreh edhe për rolin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, diplomatin Zhozep Borel, si dhe të vetë Lajçakut, për të cilët thotë se e kanë zvarritur gjetjen e zgjidhjes për kontestin mes dy vendeve. “Qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës lidhur me dialogun mbetet i pandryshuar: dialogu i ndërmjetësuar nga BE nën ish-përfaqësuesen e Lartë Federika Mogerini ka devijuar nga temat e rëndësisë substanciale, ka rrezikuar të arriturat e Kosovës, dhe ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e BE-së për ta ndërmjetësuar dialogun në të ardhmen. Për më tepër, e shoh qasjen e tanishme nga Përfaqësuesi i Lartë Zhosep Borell dhe nga ju si një përpjekje për ta zvarritur marrëveshjen përfundimtare dhe për ta rikthyer dialogun në një proces të pafund”, thuhet në letrën e Haradinajt.
Duke i përshëndetur angazhimet e kancelares gjermane Angela Merkel dhe të presidentit francez Emanuel Makron dhe angazhimin e tyre personal për arritje gjithëpërfshirëse dhe marrëveshje juridikisht të obligueshme mes Prishtinës dhe Beogradit, liderit opozitar kosovar thekson se nga rëndësia esenciale në proces është përfshirja e SHBA-së. “Kam qenë vazhdimisht i zëshëm dhe i qartë në të kërkuarit e rolit aktiv të ShBA-së në dialog. Tani – situata me energjinë e re nga ShBA për Kosovën, ka rritur shpresat që dialogu Kosovë-Serbi, mbi një dekadësh, do të finalizohet me
njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Megjithatë, ndërmjetësimin nga BE nën udhëheqje të ShBA-së e shohim si pozitive”, ka porositur Haradinaj. Sipas kumtesë që deri tek mediumet e dërgoi sot AAK-ja, Lajçak ka kërkuar bisedë telefonike më 9 prill, ndërsa letrën me të cilën Haradinaj e ka refuzuar kërkesën është me datë të së premtes, gjegjësisht 17 prill.