Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk është i mirë për Kosovën dhe se sipas tij, i njëjti duhet të marrë trajtim serioz nga Gjykata Kushtetuese.
Haradinaj akuzoi kryeministrin Albin Kurti se po tenton që “ta fsheh marren”, që sipas tij, e ka bërë gjatë qeverisjes së tij katërvjeçare, teksa për Asociacionin tha se është pranuar nga krerët e shtetit me letrën e dërguar në Këshillin e Evropës.
“Ndoshta ka folur për Albinin se Albini po ja imponon se ai e ka pranuar edhe siç e dimë e ka pranuar krejt sistemi politike i Kosovës atë edhe i shkruan Këshillit të Evropës. Pak a shumë kjo nuk është serioze sjellja e tij, si ajo shprehja ‘as asi as ksi’. Nuk është ashtu, për fat të keq vetë qeveria e kryeministri e kanë pranuar”.
“Është e vërtetë që ky draft nuk është i mirë, pra drafti që kemi sot propozim nga BE-ja nuk është i mirë. Ai meriton trajtim serioz nga Gjykata Kushtetuese. Jemi në zgjedhje dhe do që ta fshehin marren edhe ato që i kanë bërë, gabimet që i kanë bërë që e kanë udhëhequr dialogun. I kanë lutur për shumë kohë Amerika pikërisht Konjufcën, Kurtin e këtë që të japin një propozim, nuk e kanë dhënë”, ka thënë ai për EO, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Haradinaj e ka quajtur Kurtin si “amator në politikë”, i cili sipas tij, për efekte elektorale, i ka harruar temat madhore.
“Fatkeqësisht tash kemi propozime të BE-së, këta po dëshirojnë që të fshehin këtë faj është faji i tyre realisht. Kurti nuk e ka kuptuar, nuk ka strategji të vetën, ai nuk është strateg, ai shihet që është një amator në politikë. Ai i ka mbivlerësuar këtë fitore ditore për shkak të pak votave i ka harruar sa e rëndësishëm është NATO, çka do të thoshte për Kosovën sikur të anëtarësoheshim në NATO”.
“Do të zgjidhej çështje e sigurisë e rendi dhe ligjit në gjithë Kosovën e në veri, do ta bënim një kthesë të madhe ekonomike, politike gjithanshme. Gjitha këto zgjedhje të tij kanë shkaktuar shumë pasoja, përfshirë edhe sanksionet”, ka thënë Haradinaj.