Haradinaj: Kurti rrezikon marrëdhëniet me SHBA-në nëse s’e përgënjeshtron zëdhënësin e tij

Kryetari i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas deklaratës së zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili tha se Marrëveshja e Washingtonit meqë nuk ka shkuar në Kuvend nuk ka vlerë juridike të një marrëveshje.

Haradinaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të demantojë deklaratën e Kryeziut për të mos rrezikuar marrëdhëniet me shtetin e fuqishëm, njofton Klan Kosova.

“Qeveria Kurti paska deklaruar se e vetmja marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, qenka juridikisht e pavlerë! Nëse Kryeministri, nuk e përgënjeshtron këtë deklaratë të zëdhënësit të tij, ai merr gjithë përgjegjësinë e rrezikimit të partneritetit strategjik me Amerikën që është jetik për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj të shtunën në Facebook.

Haradinaj ka shtuar se këtë nuk do të mund ta bëjë askush, asnjë qeveri dhe asnjë kryeministër tjetër.

“Për ta përsëritur një qëndrim të kamotshëm të kryeministrit Kurti më duhet të them se, së pari, ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje, për shkak se asnjëherë nuk është sjellë në Kuvend, as për t’u diskutuar, as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe si i tillë me të drejtë është quajtur si dokument me zotime të njëanshme”, pati thënë Kryeziu në një intervistë për Ekonomia Online.