Haradinaj: Kurti nga kafetë me serbë në zyrë të Demaçit, e pastaj në burg në Serbi

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se sakrifica për liri është e të gjithëve.

Sipas tij, kushdo që ka bërë sakrificë për liri e ka bërë për kombin

Haradinaj ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ua ka ngulur thikën pas shpine veteranëve.

“Çdo brez i atyre që kanë bërë sakrificë për liri, ndjen respekt për pasardhësit gjithashtu ndjehet i fyer kushdo që e fyen sakrificën e kujtdo për liri. Një besim që ka lind në sakrificë, që nuk ka qenë i lehtë me e fitu e nuk ka qenë i lehtë me u mbajt, kjo qeveri i ka fut thikë pas shpinës. Kurti dhe kjo qeveri i ka ngul thikë pas shpine sakrificës tonë për liri, kategorive të lirisë. Sjellja e Kurtit ndaj kësaj kategorie është jonjerëzore dhe joshtetërore dhe joinstitucionale. Para jush është duke fol një veteran i vërtetë. Unë kam emër, mbiemër. Jam Ramush Hilmi Haradinaj. Jam veteran i vërtetë. Nuk jam Albin Kurti që prej kafeve që i ka pi me serbë atëherë ka shkuar në zyrë të Demaçit, e prej aty me duar lidhë në Beograd dhe nuk jam Mimoza Kusari që nuk e di ku ka qendru në luftë, nuk jam Mimoza Kusari, e unë e di a janë kanë veteran të rrejshëm apo të vërtetë. Mimoza Kusari dhe Albin Kurti me i dhanë vetes të drejtë me ofendu veteranët e vërtetë në emër të fryrjes së listave e mos me i përfshi në pagën minimale kjo punë ka shku shumë larg. Janë kalu do kufij”, ka thënë ai.

I pyetur nëse do t’i bashkohet protestave të veteranëve ai ka thënë se “do ta mbrojë të drejtën e veteranëve por jo duke shkatërruar shtetin”.

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se tryeza e organizuar nga AAK-ja ka për synim një bashkëbisedim të hapur për çështjet që i preokupojnë shoqatat e dala nga lufta, meqë takimi sot po realizohet me ta.

Xhavit Jashari nga Organizata e Veteranëve ka thënë se pa luftën e UÇK-së, vendi nuk do të ishte ky që është tash.

Ai ka thënë se të gjithë bashkë duhet t’i kundërshtojnë padrejtësitë.

Sipas tij, Qeveria aktuale e ka harruar sakrificën që është bërë për vendin.

“Është jonormale sot në këtë vend që kemi një qeveri që në këtë situatë çfarë gjendet Kosova të atakohet lufta e UÇK-së. Ne i kemi shpreh qëndrimet tona që tutje nuk do të lejojmë që të nëpërkëmbet kjo vlerë kur preken veteranët. Vendimet e fundit të kësaj qeverie përmes deputetëve mendoj që ka bërë një tradhti të madhe”, ka thënë ai.

Bajram Qerkini nga Shoqata “Zëri i Prindërve” ka thënë se asgjë që ka premtuar Qeveria nuk është realizuar.

Fadil Shurdhaj nga Shoqata e invalidëve të luftës ka thënë se janë në gjendje t’i lënë pagat që marrin, vetëm që ta kenë respektin.

Por, ka thënë se edhe qeveritë e kaluara kanë faj, duke shtuar se që nga viti 2014 kanë të njëjtin buxhet.

“Mendoj që kjo Qeveri është duke e bë qëllimisht vetëm për humbjen e dinjitetit të krejt luftëtarëve. Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk është dashur të na lënë ne që ta ngremë zërin. Do të në detyrojnë që t’i marrim protezat e t’i lemë para Qeverisë”, ka thënë ai.

Ish-ushtari i UÇK-së, Emin Lati ka thënë se duhet të bëhen më të ashpër.