Kosovë-Shqipëri Haradinaj kujton Senatorin Bob Dole: Rruga jonë deri tek liria identifikohet me...

Haradinaj kujton Senatorin Bob Dole: Rruga jonë deri tek liria identifikohet me emrin e tij

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar Senatorin amerikan, Bob Dole në një-vjetorin e vdekjes.

Haradinaj ka thënë rruga e Kosovës deri tek liria identifikohet me Senatorin Dole, i pari që njohu luftën e drejtë dhe të paalternativë të UÇK-së.

“Shqiptarët përgjithësisht, veçmas Kosova, nuk do të ishin këto që janë pa përkrahjen e parezervë e të vazhdueshme të Senatorit amerikan, Bob Dole. Rruga e Kosovës deri tek liria identifikohet me Senatorin Dole, i pari që njohu luftën e drejtë dhe të paalternativë të UÇK-së”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

Haradinaj ka shtuar se Senatori Dole ishte i pari që njohu dhe mbrojti kauzat e shqiptarëve.

“Ishte zëri më i spikatur dhe më me ndikim në politikën amerikane që njohu dhe mbrojti kauzat e shqiptarëve. Nder për mua që arrita ta njoh nga afër e të marrë këshilla nga ai. Në këtë përvjetor të ndarjes nga jeta, ne jemi pranë familjes Dole, institucioneve dhe popullit amerikan”.

Reklama

“Mirënjohës sot e përgjithmonë Senatorit Dole!”, ka përfunduar Haradinaj. /Telegrafi/