Haradinaj i shkruan Kurtit: Me urgjencë pranoje kërkesën e ShBA-së për afatin e targave

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka dërguar një letër kryeministrit Albin Kurti për çështjen e targave dhe gjendjen e sigurisë në veri.

Haradinaj i kërkoi Kurtit që sa më shpejt të pranojë kërkesën e ShBA-së për shtyrjen 10 mujore për afatin e konvertimit të targave ilegale serbe në RKS.

“Me shqetësim po e përcjell situatën e sigurisë në veri të vendit, pas vendimit tuaj të fundit për targat. Askush, as brenda Kosovës e as partnerët tonë ndërkombëtar nuk e konteston të drejtën e Kosovës për të zbatuar ligjin në mbarë territorin e vendit. Por, momenti aktual është i ndjeshëm dhe kërkon maturi e gjakftohtësi, në mënyrë që të mos rrezikohet procesi drejt Marrëveshjes Finale mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Prandaj, ju kërkoj që me urgjencë të pranoni kërkesën e Amerikës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale në afatin e kërkuar dhe të ndërpreni veprimet që keni marrë deri tani për zbatimin e vendimit në fjalë”.

Lideri i AAK-së, në këtë letër, i kërkon po ashtu shefit të qeverisë kosovare që të mos ndërmarrë asnjë veprim pa koordinim me ShBA-në deri në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.

Madje, Haradinaj i rekomandon Kurtit që të kërkojë ndihmën e Këshilltarit Nacional për Siguri të presidentit amerikan për veprimet lidhur me sigurinë e vendit.

“Njëkohësisht ju kërkoj që deri në Marrëveshjen Finale, të mos ndërmerrni asnjë veprim që e rrezikon sigurinë e vendit në cilën do pjesë të tij, pa koordinim në plotni me Shtetet e Bashkuara. Ju inkurajoj që të kërkoni ndihmën e Këshilltarit Nacional për Siguri të presidentit Biden, z. Jake Sullivan për të qartësuar dhe saktësuar veprimet që shtensionojnë situatën aktuale të sigurisë në rajon, deri në Marrëveshjen Finale mes Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke”.