Haradinaj i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti, për takimin i cili pritet të mbahet nesër.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj thotë se për të dhe partinë që ai drejton, çështja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake.

Megjithatë, ai thotë se Kurti, opozitën në tërësi këtë herë i kishte “përjashtuar nga çfarëdo konsultimi, apo edhe më keq, informimi, lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Bruksel”, njofton Klankosova.tv.

“I jam përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Kurti, për një bashkëbisedim lidhur me takimet e fundit që janë zhvilluar në Bruksel. Për mua dhe Aleancën, çështja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake. Këtë përcaktim e kam pasur edhe gjatë kohës sa e kam udhëhequr qeverinë e vendit. Gjithmonë kam konsideruar se për tema të interesit nacional, nuk ka qeveri dhe opozitë. Të gjithë e kanë pjesën dhe rolin e tyre. Megjithëse nuk mund ta lë pa e përmendur se Aleancën si parti, por edhe Opozitën në tërësi, kryeministri Kurti këtë herë i kishte përjashtuar nga çfarëdo konsultimi, apo edhe më keq, informimi, lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Bruksel. U jam mirënjohës të dërguarit amerikan Escobar, ambasadorit amerikan në Prishtinë, Hovenier, si dhe përfaqësuesit të BE Lajçak, për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm, por edhe për faktin se në baza ditore na kanë mbajtur të informuar për krejt çfarë ka ndodhur në Bruksel”, ka shkruar Haradinaj.

Veç kreut të AAK-së, Kurti ka ftuar në takim edhe kryetaritn e PDK-së dhe atë të LDK-së.