Haradinaj flet sërish për gazjellësin, Kurtin e quan shkurtpamës: I bëj thirrje të kthjellet

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas deklaratës së përbashkët të qeverisë amerikane dhe asaj greke në lidhje me bashkëpunimin në energjetikë, mirëpo edhe atë për integrimin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.

Haradinaj në një postim në Facebook ka thënë se në këtë deklaratë specifikohet edhe Kosova, në kuadër të vënies së theksit tek gazjellësi amerikan, që sipas tij është i një rëndësie jetike për një shtet të ri.

Sipas tij, kjo e obligon Kosovën që të kryejë detyrat e veta në rrugën e integrimit.

Haradinaj tutje ka thënë se justifikimet banale të qeverisë për refuzimin e gazjellësit nën arsyetimin se është “çështje e disa gypave” janë shkurtpamëse dhe sabotim i orientimeve pro perëndimit.

“Prandaj i bëj thirrje edhe një herë qeverisë së vendit tim që të kthjellohet e të mos vendosë pengesa në rrugën e pakthim euroatlantike të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Postimi i tij i plotë në Facebook:

E vlerësoj lart qëndrimin e përbashkët të qeverive të SHBA dhe Greqisë për integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor, ku në mënyrë të veçantë specifikohet edhe Kosova, apo edhe gazjellësi amerikan, e që është i një rëndësie të jetike për ne si shtet i ri.

Kjo na obligon që t’i kryejmë detyrat tona që rrugën e integrimit ta bëjmë sa më të lehtë e sa më të shkurtër.

Kjo nënkupton poashtu që Kosova të mbështes të gjitha projektet që e afrojnë Kosovën sa më afër BE-së e NATO-s, duke përfshirë këtu edhe gazsjellësin amerikan, projekt ky i një rëndësie strategjike dhe ekonomike, që do të garantonte edhe sigurinë energjetike të vendit tonë. Justifikimet banale të qeverisë së Kosovës për refuzimin e këtij projekti, se kjo është “çështje e disa gypave”, janë jo vetëm shkurtpamëse, por edhe sabotim i orientimeve properëndimore e euroatlantike të Kosovës.

Prandaj i bëj thirrje edhe një herë qeverisë së vendit tim që të kthjellohet e të mos vendosë pengesa në rrugën e pakthim euroatlantike të Kosovës!.