Haradinaj flet me Lajçakun për domosdoshmërinë e përfshirjes së ShBA-së në dialog

Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, është takuar edhe me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Në këtë takim është diskutuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ku Haradinaj thotë se emisarit të BE-së ia ka përsëritur qëndrimet e kësaj partie opozitare për këtë proces.

Lideri opozitar thotë se ka folur edhe për domosdoshmërinë e përfshirjes së ShBA-së në dialog dhe përkushtimin e Kosovës për marrëveshjen që epilog ka njohjen reciproke.

“Në takim me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, z. Miroslav Lajčak, ripërsërita qëndrimet tona për dialogun, domosdoshmërinë e rolit strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke mes dy vendeve. Gjithashtu z.Lajčak e falënderova për angazhimin e tij dhe të Bashkimit Evropian në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Emisari i BE-së për dialogun paraprakisht është takuar edhe me Memli Krasniqin e PDK-së i cili po ashtu ka shprehur qëndrimin e pandryshuar të PDK-së që dialogu duhet të përmbyllet me marrëveshje finale dhe njohje reciproke.