Haradinaj: Dy vjet qeverisje e sfiduar – ndalova ndarjen, ktheva ligjshmërinë dhe forcova ekonominë

Kryeministrin në largim i Kosovēs Ramush Haradinaj qeverisjen dyvjeçare të tij po e quan sfiduese dhe me shumë vështirësi e pengesa. Por edhe me shumë të arritura.

Haradinaj në një intervistë për Ekonomia Online thotë se për dy vjet në krye të qeverisë arriti të kthej dialogun nga dora e Mogherinit në atë të kancelares Merkel e presidentit Trump.

Po ashtu ai thotë se arriti të ndalë edhe ndarjen e Kosovës dhe fuqizimin e saj përbrenda, duke miratuar pako ligjore që ndihmuan zbatimin e ligjit në tërë vendin.

“Është një qeverisje e sfiduar sepse ne po ashtu arritëm me e heq dialogun nga tavolina e Mogherinit ku ishte një dialog i ndarjes me kalua te tavolina e kancelares Merkel dhe te Presidenti Trump e Macron. Pra e bëmë një ndryshim të madh përmbajtjesor e kundërshtuam dhe e penguam ndarjen dhe këto janë disa momente kyçe të qeverisë sonë e cila qeverisje vërtet kur i shtojmë edhe krejt pakon ligjore prej kodit penal dhe gjitha ligjet tjera për konfiskim të pasurisë dhe konflikt interesi dhe plot ligje që janë me të vërtetë me rëndësi për vetë zbatimin e ligjit në Kosovës dhe ka qenë një periudhë dinamike”, thotë ai.

Pavarësimin energjetik dhe kthimin e prodhimit të energjisë po i vlerëson si dy të arritura të tjera të qeverisë së tij.

Ai përmendi edhe Ligjin e ri për Paga për të cilin thotë se duhet të implementohet dhe më pas të shihem mundësitë për përmirësimin e tij.

Por e pranon se liberalizimi i vizave u vonua, por që beson në një vendim për këtë çështjeje.

“Ngjarja e parë me rëndësi ka qenë kthimi i prodhimit në energji e pastaj beteja për pavarësim energjetik e cila nuk zgjati shumë, por në fund kemi realizua pavarësimin energjetik si Kosovë dhe tash është faza implementuese. Deri në muajin prill të vitit që vjen veç finalizohet dhe është me rëndësi që kemi vendosur një rregull në sektorin publik në bazë ligjore, për administratën, për ligjin për pagat”.

“Ka qenë një gjendje kaotike me veprime të improvizuar dhe më në fund e kemi vendosur bazën ligjore dhe është për keqardhje që ligji për paga ta ketë këtë trajtim çfarë e ka por ai ligj duhet të zbatohet sepse është ligj i rëndësishëm dhe mundet me u përmirësuar në të ardhmen. Pastaj ka tepër rëndësi edhe fokusimi ynë në rend e ligj në avancimin qe kanë qenë edhe kushte për liberalizimin e vizave dhe përmbyllja e gjitha kërkesave për liberalizim dhe u vonua liberalizimi dhe nuk e kemi ende, por ajo çka është me rëndësi mundësi të marrjes së vendimit”, thotë ai për eo.

Haradinaj nuk la pa e përmendur edhe formimin e ushtrisë dhe miratimin e pakos ligjore që rregullon mandatin e saj.

“Pastaj me rëndësi ishte edhe çështja e ushtrisë sonë dhe ligji për ushtrinë si ligji për shërbimin ushtarak ligji për ministrinë e mbrojtjes dhe ligji për mandatin e ushtrisë që është mandat me e mbrojt Kosovën dhe formimi i ushtrisë është një arritje e madhe për Kosovën dhe siguroi që kjo është e përjetshme”, thotë ai.

Haradinaj krenohet edhe me ligjin për Trepçën për të cilin thotë se tani ky gjigant metalurgjik do t’i përkas vetëm Kosovës.

Ai thotë se gjatë kësaj periudhe ndërmorën edhe masa të shumta fiskale të cilat lehtësuan prodhuesit vendës e që ndikuan edhe në rritjen e ekonomisë.

“Po ashtu ishte edhe ligji për implementimin e ligjit për Trepçën ligji për Trepçën ishte votua në parlament po nuk zbatohet për shkak të vështirësive e pengesave që u hasshin kuptohet pse. Tani Trepça dhe çdo pasuri tjetër e Kosovës është vetëm e Kosovës dhe nuk ka palë të dytë apo të tretë që pretendon që ka hise në resurset tona dhe kjo është tepër me rëndësi edhe për investitorët e ardhshëm dhe është zgjidhur krejtësisht çështja e pasurive të Kosovës. Kemi të bëjmë këtu me përkrahjen që u kemi bërë prodhuesve dhe heqjen e tatimit për lëndën e parë dhe për pajisjet por edhe taksa e ka pas një efekt në ekonominë tonë dhe një efekt të jashtëzakonshme”, thotë ai.

Qeveria Haradinaj u votua më 9 shtator të vitit 2017, ndërsa për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale, Haradinaj më 19 korrik 2019 dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës.