Haradinaj: Bashkëluftëtarë Hysni e Nasim, qëndroni të fortë

Ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas dënimit të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Haradinaj ka thënë disa fjalë për babain, gjyshin dhe stërgjyshin e Nasim Haradinajt për të cilët thotë se luftuan për të drejtat e shqiptarëve, duke thënë se kjo familje në vazhdimësi është përballur me sfida të tilla.

“Do i them pak fjalë për Nasimin. Stërgjyshi i tij, Xhemajli i parë, pjesëmarrës në shumë luftëra kundër pushtuesve u vra në Gjakovë te kulla e Abdullah Pashë Drenit, në mbrojtje të Lidhjes së Prizrenit. Gjyshi i tij, Xhemali i dytë, pjesëmarrës në të gjitha luftërat për liri. Bashkëshortja e tij, gjyshja e Nasimit, ishte bijë e Tishukëve, familje e njohur atdhetare në Dukagjin e Kosovë”.

“Babai i tij, Smajl Haradinaj, luftëtar i paepur për të drejtën e shqiptarëve, pjesëmarrës në lëvizjet antijugosllave dhe për bashkim me Shqipërinë, i burgosur politik mbi 20 vjet. Nana Myzaqet, vëllau Naimi, motrat Shqipja e Naimja, bashkëshortja Xhejlanja, e veçanërisht vëllai i vogël Agroni që vuan nga një sëmundje e rëndë, e kuptojnë dhe e ndjejnë peshën e vendimit të sotëm, sepse nuk janë brezi i parë që përballohen me sfida të tilla”.

Haradinaj iu drejtua bashkëluftëtarëve të tij duke iu thënë “qëndroni të fortë”, duke shtuar se “lufta për liri e shtet vazhdon”.