Hapat e radhës në hetimet e korrupsionit të nivelit të lartë në Ukrainë

Kreu i agjencisë kryesore kundër korrupsionit në Ukrainë (NABU) tha se presioni mbi hetimin për skandalin e korrupsionit në vend po diskutohej “në zyra të larta”, teksa një krizë e madhe politike po krijohet përreth presidentit Volodymyr Zelensky.

Skandali ka tronditur vendin e shkatërruar nga lufta dhe përfshin pretendime se fondet e destinuara për forcimin e mbrojtjes të infrastrukturës energjetike, të cenueshme nga sulmet ajrore ruse, janë devijuar te figurat e lidhura me politikën.

Semen Kryvonos, kreu i Byrosë Kombëtare Antikorrpsion të Ukrainës (NABU) – një nga agjencitë që po udhëheq hetimin – foli për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë më 18 nëntor, duke u shprehur se hetimi po përballet me një sërë pengesash politike dhe burokratike, por shtoi se hetimi do të vazhdojë.

Skandali implikon njerëz në nivelet më të larta të Qeverisë së Ukrainës, duke u përqendruar te biznesmeni Tymur Mindich, një mik i vjetër dhe ish-partneri i biznesit i Zelenskyt.

Pretendimet kanë prekur një nerv të ndjeshëm tek ukrainasit, të cilët janë të lodhur pas gati katër vjet që kur Rusia nisi pushimin në shkallë të plotë të shtetit të tyre. Zelensky ka bërë thirrje për “bashkëpunim të plotë” dhe është zotuar se do të bëjë ndryshime në sektorin energjetik të shtetit.

Megjithatë, me tetë persona që veçse janë identifikuar si të dyshuar – dy prej të cilëve, përfshirë Mindichin, janë larguar nga Ukraina – pyetja kryesore për këtë skandal tani është se kush saktësisht ishte figura kryesore në këtë skemë.

Ndiq paratë

Fokusi është në operatorin shtetëror të energjisë bërthamore, Energoatom, i cili ka të ardhura vjetore prej rreth 4.7 miliardë dollarësh.

NABU-ja dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit (SAPO) pretendojnë se një “organizatë kriminale e nivelit të lartë” ka përvetësuar 100 milionë dollarë nga sektori i energjisë. Të dyshuarit akuzohen se kanë përfituar jashtëligjshëm 10-15 për qind nga nënkontraktorët privatë të kompanisë në këmbim të zgjatjes së kontratave të tyre.

Më shumë se një javë pasi gjetjet e agjencive u bënë publike, Kryvonos i tha REL-it se skema korruptive përfshinte “dhjetëra juridiksione ndërkombëtare” përmes të cilave fondet e përvetësuara qarkullonin para se të përfundonin në llogari apo të shndërroheshin në pasuri të paluajtshme.

Hetuesit tani po gjurmojnë lëvizjen e parave “të pastruara”, tha Kryvonos. Por, çështja bëhet edhe më e ndërlikuar për shkak të nevojës së bashkëpunimit me Shërbimin e Monitorimit Financiar të Ukrainës, që udhëhiqet nga Filip Pronin.

Sipas gazetarëve dhe disa ligjvënësve, Pronin besohet se është person i afërt me Zyrën e Presidentit dhe ai raportohet se po hetohet nga autoritetet kundër korrupsionit për dyshimet se ka përvetësuar fonde të destinuara për mbrojtjen e infrastrukturës në rajonin e Potlavës.

Kryvonos tha se në këtë fazë është thelbësore që Shërbimi i Monitorimit Financiar të përfshihet plotësisht në hetim. Por, ai kritikoi reagimin e deritanishëm të agjencisë, duke e cilësuar zvarritjen e procesit nga ana e saj si “të dyshimtë”.

Semen Kryvonos, udhëheqësi i NABU-s.
Semen Kryvonos, udhëheqësi i NABU-s.

“Kreu i këtij shërbimi – dhe vet shërbimi – do të duhej të kishin shfaqur lidership që nga dita e parë kur bëmë publike këto dëshmi dhe ndaluam këta persona”, tha ai, duke shtuar se skandali është më i madh sesa vetëm Energoatomi.

“Sipas vlerësimit tonë paraprak, shumë fusha të tjera janë përfshirë. Ata do të duhej ta kishin zbuluar këtë që në fazën kur skema, le ta themi kështu, ekzistonte – ta identifikonin dhe ta bllokonin”.

I pyetur nëse agjencia e Proninit po ndihmonte në mënyrë aktive NABU-n dhe SAPO-n për të gjurmuar fondet që dyshohet se janë pastruar përmes Energoatomit, Kryvonos tha se ata “praktikisht nuk kemi pranuar asnjë informacion relevant si përgjigje” pavarësisht se kishin dorëzuar “një sërë kërkesash… sa i përket prokurimeve që mund të jenë të lidhura me rastin”.

“Duke pasur parasysh kuptimin tonë për mënyrën se si ky shërbim mund të operojë dhe të identifikojë transaksione të dyshimta, si dhe të bashkëveprojë me NABU-n, mungesa e plotë e aktivitetit në këtë fushë na duket shumë e dyshimtë”, shtoi ai.

A mund të ekstradohet Mindich?

Mindich, që dyshohet se ka përdorur emrin e koduar Karlson, iku nga Ukraina drejt Polonisë më 10 nëntor.

Si bashkëthemelues i trupës komike Kvartal 95, Mindich ishte i afërt me Zelenskyn, i cili po ashtu kishte bashkëpronësi në biznes para se të bëhej president. Kvartal ishte një mjet i rëndësishëm për Zelenskyn për të fituar popullaritet si komedian dhe aktor para se të futej në politikë.

Mindich u largua nga shteti duke përdorur një shërbim luksoz taksie disa orë para se autoritetet të kryenin bastisje lidhur me hetimin, mësoi njësia hulumtuese e Shërbimit ukrainas të REL-it.

Kjo nxiti kritikët që të thonë se ai është paralajmëruar paraprakisht për bastisjet.

Kryvonos tha se nuk e përjashton mundësinë që Mindich të ekstradohet nga Izraeli, ku ai gjithashtu ka shtetësi – në fakt, NABU “po punon në këtë drejtim”.

“Ne nuk do të rrimë duarkryq vetëm sepse mund të supozojmë se ndonjë vend nuk do të ekstradojë dikë”, u shpreh ai.

“Si rregull, të dyshuarit nuk qëndrojnë vetëm në një vend. Ata duan të udhëtojnë, të vizitojnë vende evropiane. Prandaj, duhet të merren të gjitha masat për t’u siguruar që ky person të jetë në listën ndërkombëtare të të kërkuarve, në mënyrë që agjencitë përkatëse të zbatimit të ligjit dhe INTERPOL-i të kenë udhëzimet e duhura për ta ndaluar këtë person në rast se ai kalon dhe mbërrin në territorin e një vendi tjetër”.

Ali-Baba dhe presioni mbi përpjekjet kundër korrupsionit

Gjatë verës, Zelensky nxiti një reagim të madh në publik kur mbështeti një masë që do të zvogëlonte ndjeshëm pavarësinë e NABU-s dhe SAPO-s.

Ky veprim erdhi pas arrestimeve nga agjencia e sigurisë së brendshme të Ukrainës (SBU) të dy zyrtarëve të NABU-s për lidhje të dyshuara me Rusinë dhe pas kryerjes së dhjetëra bastisjeve që kishin për shënjestër punonjës të agjencisë.

Pas protestave në rrugë, të rralla gjatë luftës, dhe një sërë thirrjesh nga udhëheqësit evropianë, Zelensky u tërhoq dhe rivendosi pavarësinë e plotë të agjencive.

Kryvonos tha se po të mos ishin protestat, rasti i Energoatomit “nuk do të kishte ndodhur. Ai do të ishte shkatërruar, me siguri”.

Kreu i SAPO-s, Oleksandr Klymenko, pretendoi më herët gjatë javës se në Qeverinë ukrainase janë mbajtur takime për të ndikuar hetuesit e NABU-s dhe SAPO-s pas publikimit të dëshmive.

Ndërkohë, ligjvënësi i opozitës Yaroslav Zheleznyak deklaroi se sipas të dhënave të hetimeve kundër korrupsionit përfshijnë një person me emrin e koduar Ali-Baba, i cili po ushtronte ndikim mbi autoritetet për të ushtruar presion mbi agjencitë kundër korrupsionit.

Zheleznyak shtoi se besonte se Ali-Baba ishte Andriy Borysovych Yermak.

Një aleat i ngushtë dhe ndihmës me ndikim i Zelenskyt – i cili më parë kishte marrë pjesë në një sërë takimesh ndërkombëtare, përfshirë me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio – Yermak nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment të dërguar nga Shërbimi ukrainas i REL-it./REL