Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka vizituar sot në Hagë, ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin, Kadri Veseli.
Ai tha se muret e Hagës nuk mund ta burgosin të vërtetën dhe idealin e tyre e të shokëve të tjerë, transmeton Klankosova.tv.
Pos tjerash, i pari i PDK-së, përmes një postimi në Facebook, deklaroi se Thaçit e Veselit iu premtoi se më 28 dhjetor do t’i gëzojnë.
“Muret në Hagë nuk mund ta burgosin të vërtetën dhe idealin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe shokëve të tyre. I gjeta mirë me shëndet dhe plot entuziazëm për bashkimin tonë. Ata i shërbyen Kosovës me sakrificë dhe sot qëndrojnë të fortë, me kokën lart, pavarësisht padrejtësive me të cilat po përballen këtu”.
“Si qytetar i Kosovës, si mik, si kryetar i PDK-së dhe kandidat për kryeministër, i ndiej personalisht këto padrejtësi. Ky proces tani po shkon drejt fundit dhe presim që fundi të jetë i drejtë. Zvarritjet nuk i shërbejnë askujt: as drejtësisë, as Kosovës dhe as bashkësisë ndërkombëtare. Kosova po i pret bijtë e saj me krenari. Liria ka emrat e tyre dhe ata po rikthehen në shtëpi. Të fala nga Haga! Iu premtova se do t’i gëzojmë më 28 dhjetor!”, ka shkruar Hamza.




