Hamza: Kurti po mban peng shtetin e Kosovës, kërkojmë zbatimin e kushtetutës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e ka akuzuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e mban peng shtetin e Kosovës me mosformimin e institucioneve të reja.

Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ai i bëri thirrje Kurtit që të mundësojë vazhdimin e seancës konstituive të legjislaturës së njëmbëdhjetë.

“Lëvizja Vetëvendosje, zoti Kurti, zonja Haxhiu, zoti Dehari, e ka kaluar një kufi që nuk është dashur ta kalojnë kurrë. Ata qëllimisht e kanë shkelur afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Jo një afat të vendosur nga PDK-ja dhe opozita, por nga Kushtetuta, të cilën e kanë suspenduar. Sot nuk kemi kriza politike, por kushtetuese dhe institucionale. Përveç që nuk kemi Kuvend, nuk kemi as qeveri me mandat të ri. Institucionet po funksionojnë me një terren të pasigurt, shkelje kushtetuese dhe shkelje të rregullores së Kuvendit, ndërkaq përgjegjësia politike po shtyhet nga një ditë në tjetrën. Kjo nuk është normale dhe nuk do të lejojmë që të bëhet normale. Shteti nuk është Albin Kurti. Shteti është Kushtetuta, ligjet dhe institucionet dhe kufijtë që askush nuk ka të drejtë t’i kalojë”, tha ai.

Në sallën plenare të Kuvendit, ku prezentë ishin vetëm deputetët e PDK-së dhe Aleancës, Hamza tha se pa e rikthyer kushtetutshmërinë e vendit nuk mund të flitet asgjë me Kurtin.

“Konstituimi i tashëm nuk e kthen orën pas, por Kuvendi duhet të konstituohet, pasi pa u konstituar nuk rrjedhin afatet kushtetuese. Prandaj, edhe sot i ftojmë: hajdeni, konstituoni Kuvendin. Mbi çdo parti është Republika e Kosovës, mbi çdo pushtet është Kushtetuta. Partitë vijnë dhe shkojnë, qeveritë e kryeministrit po ashtu, por Republika e Kosovës duhet të mbetet. Kjo republikë mbetet atëherë kur Kushtetuta respektohet. Albin Kurti po e mban peng shtetin e Kosovës. Pa e rikthyer kushtetutshmërinë, pa e rikthyer rendin kushtetues, me ne nuk mund të flitet për asgjë tjetër”, theksoi Hamza. (A2 Televizion)