Lewis Hamilton sërish u ankua se vetura e tij nuk është në nivel që të garojë për pozitat e para në këtë sezon.
Anglezi i quajti të dyja provat para Canadian Grand Prix “një katastrofë”, pasi ai, së bashku me shokun e tij të skuadrës, George Russel, përfunduan shumë poshtë podiumit.
Vetë ai përfundoi në pozitën e 13, gjashtë pozita më poshtë sesa Russel që, megjithatë arriti të futej në top 10-she.
I pyetur për këtë rezultat, si dhe për atë të provës së parë ku përfundoi i shtati, Hamilton u përgjigj se asgjë nuk po shkon siç duhet.
“Po provoj shumë gjëra të ndryshme, por nuk po funksionojnë. Nuk bëjmë asgjë me këtë veturë. Në praktikën e dytë unë dhe George provuam gjëra të ndryshme për të parë se çka funksionon dhe çka jo, por për mua ishte një katastrofë. Duket se kjo veturë po shkon duke u përkeqësuar”, tha ndër të tjera ish-kampioni i këtij kompeticioni.
“Gjithsesi, ne do të përpiqemi të marrim rezultate, por duhet që të ndërtojmë një veturë më të mirë edicionin e ardhshëm”, përfundoi ai.




