Haliti: Turri linçues ndaj Gjykatës Kushtetuese është i padrejtë, mosrespektimi i këtij vendimi do të ketë pasoja të rënda

Ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, në një prononcim për Gazeta Blic lidhur me vendimin e sotëm të Gjyjatës kushtetuese ka theksuar se sulmet ndaj institucionit më të lartë juridik janë të padrejta dhe të papërshtatshme për klimën politike në vend.Ai e ka quajtur të padrejtë ose “turr linçues” çasjen ndaj Kushtetueses.

“Pa pretenduar që jam konstitucionalist apo i anuar politikisht, dua të them diçka që ndoshta nuk do t’u pëlqejë të gjithëve. Turri linçues ndaj Gjykatës Kushtetuese është i padrejtë. Gjykata nuk ka marrë vendim për t’i bërë qejfin ndonjë politikani, por për të zbatuar Kushtetutën që garanton të drejtat e të gjithëve në Kosovë,” ka deklaruar Haliti.Haliti ka përmendur dy rrugë që i qëndrojnë Kosovës përpara: “Ose të themelohet Kuvendi dhe Qeveria në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ose të formësohen organet e Kuvendit dhe, nëse partitë nuk arrijnë të krijojnë qeverinë, të shpërndahet Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme”- ëshë shprehur ai.

Ai ka bërë thirrje që Parlamenti të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të përmbyllë konstituimin dhe të kalojë në formimin e qeverisë.“Mosrespektimi i këtij vendimi do të ketë pasoja të rënda, jo vetëm në planin e brendshëm, por edhe në raportet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë”- përfundoi ai.