Haliti: Heqja e sanksioneve ndaj Kosovës në duart e Albin Kurtit, jo të BE-së – ja si duhet të veprojë

Përkundër pritjeve dhe paralajmërimeve se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës do të hiqen, së paku gradualisht, kjo nuk ka ndodhur ende.

Lidhur me këtë çështje ka folur edhe deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti, ku thotë se heqja e masave të vendosura ndaj Qeverisë së Kosovës, nuk është në dorën e BE-së, por në duart e Albin Kurtit.

Haliti në një prononcim për GazetaBlic, thotë se ditën që Kurti e shqyrton në Qeveri statutin për Asociacionin dhe e dërgon në Gjykatën Kushtetuese, atëherë do hiqen sanksionet e vendosura ndaj Kosovës.

 

“Byrokracia në BE është shumë e ngadalshme, procedurat e marrjes ose rishqyrtimit apo rimarrjes së një vendimi, i nënshtrohet vendimeve të trefishta, institucioneve qeveritare nacionale të çdo shteti të BE-së, si dhe vendimmarrjes së dyfishtë brenda institucioneve të BE. Heqja e masave të vendosura Qeverisë së Kosovës nuk është në dorën e BE-aë, por në duart e Albin Kurtit! Ditën që Albini e shqyrton në Qeveri statutin për Asociacionin dhe të njëjtin e dërgon në Gjykatën Kushtetuese, hiqen sanksionet”, tha ai.

Tutje, deputeti thotë se edhe pas zëvendësimit të Borrellit, nuk do të ndryshojnë politikat e BE-së në raport me Kosovën.

“Ndërrimi i administratës në kuadër të BE-së, nuk do të thotë që ndryshojnë politikat e BE-së në raport me Kosovën. Mendoj që tani kryetarja e posazgjedhur që do ta zëvendësojë z.Borrell, do të jetë shumë më insistuese që jo vetem çështja e statutit duhet të shqyrtohet, por në funksion të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, dhe në funksion të fillimit të integrimit të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të jemi të detyruar që të ecim në rrugën evropiane. Për këtë kemi qëndrim publik edhe nga ShBA, BM dhe gjithë vendet perëndimore. Tani lind pyetja, me kë jemi ne? Kush e mbështetë Kosovën e popullin e Kosovës dhe atë hapur ? Kush dëshiron ta gllabërojë dhe t’ia sheh prapë shkrumbin? Besoj që të gjithë e dimë. Sa më shpejt të veprojmë, aq më mirë është për Kosovën e rajonin”, përfundoi Haliti për GazetaBlic.