Hakerat godasin sërish, publikojnë numrat e telefonit dhe ID-të e qindra shqiptarëve: Loja sapo ka nisur

Pasi hakerat goditën dhe paralizuan të gjitha shërbimet online të shtetit shqiptar duke publikuar një pjesë të mirë të të dhënave të përftuara nga sistemi e-Albania dhe duke fshirë disa prej serverave virtualë, ata kanë publikuar dokumente të tjera. Këtë radhë bëhet fjalë për numrat e qindra shqiptarëve dhe numrit të kartës së tyre të identitetit.

Ashtu siç kishin paralajmëruar më parë, grupi i hakerave i ashtuquajtur “Homeland Justice” ose “Drejtësia e Atdheut”, pasi publikoi materiale e-mailet e kryeministrit Edi Rama, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes ka nxjerrë në publik edhe numrat e telefonit të qytetarëve shqiptarë.

“Loja është gati për të nisur. Tani njerëzit do të kuptojnë se politikanët e tyre të korruptuar nuk kanë bërë asgjë për sigurinë e tyre”, është mesazhi që shoqëron dosjet e publikuara në të cilat hakerat kanë publikuar në faqen e tyre dosjet me qindra numra të qytetarëve shqiptarë, shoqëruar me emrin, mbiemrin dhe numrin personal të kartës së identitetit.