Botuesi i Gazetës LAJM, Fejzi Hajdari ka komentuar vrasjen monstruoze të 14 vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi.
Hajdari në prononcimin e tij ka thënë se Vanja është viktimë e mosndëshkimit të krimit nga institutucionet shtetërore.
“Vlerësoj se ky rast monstruoz dhe rastet e mëparshme monstruoze, si dhe proceset e montuara gjyqësore janë pikërisht rezultat, siç vlerësoj edhe për këtë rastin e fundit, i mosndëshikimit të krimit të deritanishëm. Kjo vjen nga një gjyqësor të cilit qytetarët, në bazë të anketave, i besojnë vetëm 2%. Pastaj dyshimin te rasti konkret e kam edhe te paraqitjet e para të organeve të ndjekjes me anë të kumtesave që nuk ishin në harmoni me atë kumtesën e MPB-së, flas për kumtesat e para. Ju duhet ta dini që bëhet fjalë për një njeri, për Palevskin i dyshuar kryesor për vrasjen e 14 vjeçares, bëhet fjalë për një njeri të fuqishëm, i cili ka qenë vazhdimisht në tre dekadat e fundit i lidhur me politikën sidomos me ish kryeministrin Cërvenkovski ka vazhduar dhe ka vazhduar të jetë me ndikim shumë të madh në radhët e LSDM-së, por ka qenë njëkohësisht në lidhje të përhershme me ish politikanët e ish Prosperitetit Demokratik, por edhe të Qeverisë së tanishme. Kjo është pasojë direkte e mosndëshkimit të krimit. Prandaj edhe ky ka marrë guximin të bëjë filma të tillë. Gjyqësori ka vazhduar në tre dekadat e fundit të ketë një qasje ndryshe për shqiptarët, ndryshe për maqedonasit. Në rastet ku shqiptarët janë viktimë autorët e atyre rasteve akoma nuk janë gjetur, ndërkohë që në rastin konkret gjyqësori dhe policia reaguan shpejtë”, tha Hajdari.






