Habiten shqiptarët e Çairit: Izet Mexhiti dështoi një herë në politikë, pse kërkon prap vota!?

Një anketë e zhvilluar në teren nga ekipi i RTSHS-ë në qytete të ndryshme të Maqedonisë së Veriut, tregon se bashkëkombësit tanë e dëshirojnë postin e kryeministrit, por pak i besojnë BDI-së se mund ta bëjë kryeministrin e parë shqiptar. Bashkëkombësit tanë në vendin fqinj e dëshirojnë me gjithë zemër këtë post, por kanë rezervat e tyre se mund ta fitojë partia e cila 18 vite është në pushtet dhe ende ka lënë shumë vrima të parealizuara nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit.
“Un dua që të kemi kryeministër shqiptar, por BDI nuk mund ta bëjë. Kanë shumë incizime dhe skandale”, thotë Arbeni, shqiptar i punësuar në administratë shtetërore, që jeton në komunën Çair.

“Jo, jo, as un nuk besoj. Bile u habita kur e pash Izet Mexhitin që prap kërkon vota. Ai u tërhoq nga politika në vitin 2017 pas tre mandateve të pasuksesshme, bile as në tubime nuk dilke. Çka mujmë me prit prej Izetit, veç me u shtu gropat nrrugt e Çairit”, thotë shoku i tij, Ademi, duke folur për një politikan lokal, gjatë kohës së të cilit thonë se pjesa më e bukur e Shkupit e banuar me shqiptarë ëhstë shndërruar në një farë geto të llojit të vetë.

Në Tetovën e populluar me shumicë absolute shqiptare, vërehet një eufori për ndryshime të shumëpritura, pas 18 viteve ngecje dhe regres.

“Ti shofim këta të rinjt. BDI-së boll ja dham besimin, po sbani diçka. Nëse përmirësohen do i votojmë prap pas katër viteve, tash do të votoj për Zijadin Selën”, thotë Avniu nga Tetova, një shqiptar që është kthyer në vendlindje për të zhvilluar biznes të vogël, pasi 20 vite ka punuar në vendet perëndimore. Ai tani është në dilemë a veproi mirë që u kthye në vendlindje, apo më mirë sërish të kthehet në perëndim.
“Nëse doni të flas holl e holl, për shqiptarët u bë ma mirë kur u dobësu BDI-ja se kur ishte e fortë”, thekson ai, duke kërkuar që të mos ja nxjerrim fotografinë.

Zgjedhjet te fqiu ynë lindor do të mbahen më 15 korrik. Fillimisht ishin projektuar për 12 prill, por u shtynë shkaku i pandemisë së shkaktuar nga Covid 19.
Në këto zgjedhje gara kryesore te votuesit shqiptar zhvillohet mes BDI-së në pushtet dhe koalicionit Aleanca për Shqiptarët-Alternativa. Vota shqiptare mëton të fitojë edhe koalicioni LSDM-BESA, koalicioni i parë parazgjedhor shqiptaro-maqedonas. në pjesën shqiptare vërehet dëshira për ndryshim, por ende është prezente droja që njerëzit të flasin lirshëm, nga frika se mund të hakmerret partia në pushtet, në fund të mandatit të saj.