Guteresh: Një miliardë nxënës të goditur nga mbyllja e shkollave për shkak të koronavirusit

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh tha se pandemia e koronavirusit ka shkaktuar çrregullimin më të madh të arsimit në histori me mbylljen e shkollave në mbi 160 vende në mesin e korrikut, me çka janë goditur mbi një miliardë nxënës.

Krahas kësaj, Guteresh tha se së paku 40 milionë fëmijë në botë e humbën “vitin e vet kritik parashkollor”.

Si pasojë e kësaj, ai paralajmëroi se bota po përballet me “katastrofë gjenerate që mund të shkaktojë humbjen e e potencialit të paparamendueshëm njerëzor, ta minojë përparimin prej dekadash dhe t’i përkeqësojë pabarazitë e rrënjosura”.

“Ndodhemi në moment vendimtar për fëmijët dhe të rinjtë e kësaj bote”, tha Guteresh në video porosinë me rastin e fillimit të fushatës së KB-së të quajtur “Ta shpëtojmë të ardhmen tonë”.

Ai tha se vendimet të cilat qeveritë dhe partnerët do t’i marrin tani, do të kenë ndikim të përhershëm ndaj qindra milionë të rinjve dhe ndaj pikëpamjeve për zhvillim të vendeve në dekadat e ardhshme.

Guteresh theksoi se kthimi i nxënësve në shkolla duhet të jetë “prioritet kryesor”.

“Kur transmetimi lokal i Kovid-19 do të vihet nën kontroll, kthimi i nxënësve në shkolla dhe institucione arsimore në mënyrë të mundshme sa më të sigurt, duhet të jetë prioritet kryesor”, tha shefi i OKB-së, duke shtuar se konsultimet me prindërit, kujdestarët, mësimdhënësit dhe të rinjtë janë me rëndësi themelore./MIA