Guerot: Kurti i njeh shumë më mirë se unë filozofët francezë (VIDEO)

E marta e emisionit “Ora e Pasdites” në Klan Kosova, iu dedikua kulturës franceze. Në këtë edicion mysafir special ishte ambasadori francez në Kosovë,  Olivier Guerot.

Ai foli për festivalin e filmit “Frankofon” në vendin tonë, duke u shprehur i lumtur për nisjen e tij që do të bëhet të enjten.

“Festivali i filmit “Frankofon” nuk është një festival vetëm i filmit francez, por i të gjitha vendeve frankofone, sepse frankofonia është një organizatë e gjerë, ku përfshihen diku rreth 380 milionë folës nga 88 vende të ndryshme të botë. Kësaj here kryeqyteti i festivalit do të jetë Peja, dhe tema e këtij viti është femërore, pra portrete femërore”, u shpreh ambasadori francez.

Guerot, nuk pati nevojë për përkthim nga gjuha shqipe në frëngjisht, kur moderatorja Njomza Ali – Kajtazi, e pyeti se a flisni me kryeministrin Albin Kurti saj përket shijeve për filmat, meqë i njëjti do të jetë prezent në ceremoninë hapëse të festivalit.

“Bisedat që i bëj me kryeministrin duhet t’i mbajë konfidenciale. Por, përveç politikes flasim edhe për gjëra tjera. Flasim për literaturën, dhe jam shumë i kujdesshëm sepse kur flasim për filozofët francez, ai i njeh shumë më mirë se unë. Kështu që, përpiqem t’i trajtoj temat në të cilat jemi parafërsishit të barabartë të dy” , tha Guerot.

I dërguari i Parisit në Prishtinë u pyet edhe për jetën e tij personale në Kosovë, por, edhe se si ia bën pa djathërat dhe verërat luksoze të Francës, njofton Klankosova.tv.

“Për mua është e rëndësishme kjo njohje me Kosovën, sepse kam pasur njohuri për rajonin, por jo për Kosovën. Përparësia është se është një vend i vogël, dhe kjo më mundëson që përgjatë vikendit me veturën time të shëtis nëpër vende të Kosovës”, tha ai.

Përderisa u qesh dhe e pranoi se pyetja për djathëra është rëndësishme, ai u shpreh: “Së pari, ka djathëra franceze që i gjejmë në disa supermarkete në Kosovë, por ka djathë kosovar, sidomos djathi i sharrit. Ne kemi punuar shumë që djathi i sharrit të ketë emrin “djathi i sharrit”, pra të jetë i mbrojtur me indikacionet si djathë i sharrit, dhe atë edhe e ka fituar “, u shpreh Olivier Guérot.

Intervistën e plotë të tij mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm: