Gucati nuk i përjashton protestat nëse Specialja nis arrestimet

Disa prej tyre u ftuan në cilësinë e të dyshuarve, por shumë prej tyre ftesën e kanë marrë vetëm si dëshmitarë.

Shumë ftesa u dërguan edhe nëpër në lokale të ndryshme dhe tregon joprofesionalizëm. OVL-UÇK nuk përjashton protestat të ashpra për të kundërshtuar arrestimet. Këtë e tregojnë në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilët vazhdojnë të kundërshtojnë këtë gjykatë që sipas tyre është politike dhe e njëanshme, duke deklaruar se shumë shpejtë pritet të ngritën aktakuzat e para.

Ftesa të shumta kanë arritur në Kosovë gjatë vitit 2019, nga Gjykata Speciale, sidomos në gjysmën e dytë të vitit, ku këto thirrje u intensifikuan.

Madje u ftuan edhe disa nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, në mesin e tyre edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dikur udhëheqës të UÇK-së.

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, në një intervistë për KosovaPress, thotë se viti që lëmë pas, për ta ishte plot sfida.

Sipas deklarimeve që kanë bërë të ftuarit, Gucati thotë se shumë prej tyre janë thirr si dëshmitarë, por ka pasur edhe një numër që ftesën e kanë marrë si të dyshuar.

Nga vera e vitit të që lëmë pas, filluan ftesat edhe për ish-komandantët e UÇK-së, ku sipas Gucatit, pritet të ftohen edhe udhëheqës të tjerë të luftës.

Duke thënë që ftesat tashmë po dërgohen në adresë të caktuar apo persona të autorizuar, Gucati shton se mënyra si u dërguan ato më parë në lokale të ndryshme, tregon joprofesionalizmin e kësaj gjykatë.

Kryetari i OVL-UÇK thotë se nuk i përjashtojnë protestat nëse fillojnë arrestimet. Veçse për këtë thekson se nuk e kanë mbështetjen e deputetëve, meqë siç thotë ai, janë ata që vet e votuan këtë gjykatë.

Gjykata Speciale me seli në Hagë u themelua me vendimin e Kuvendit të Kosovës në vitin 2015.

Nga janari i vitit 2019, Prokuroria e Specializuar ka intervistuar ish-pjesëtarë të UÇK-së, ndërkohë që aktakuza ende nuk ka.