Protesta e radhës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së do të mbahet para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, më 16 nëntor në orën 13:00.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, në një konferencë për media tregoi arsyen se pse u zgjodh ky vend.
Ai tha se nga aty kishte filluar padrejtësia ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në momentin kur është votuar dhe miratuar raporti i Dick Martyt, i cili më pas u shndërrua në bazë për themelimin e Gjykatës Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së”, tha ai në konferencë, njofton Klankosova.tv.
Gucati theksoi se do të protestohet për të kërkuar drejtësi dhe për t’u kujtuar institucioneve evropiane se e vërteta për luftën çlirimtare të Kosovës nuk mund të shtrembërohet.
Kjo është protesta e katërt e kategorive të dala nga lufta, pas Prishtinës, Hagës, Tiranës.




