Guardiola: Jam krenar me ekipin, gjysmëfinalja është arritje e pabesueshme për klubin tonë

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ndihet krenar me kualifikimin në gjysmëfinale, pasi eliminuan Atletico Madridin pas dy ndeshjeve shumë të vështira.

City arriti të mbajë epërsinë e fitores 1-0 nga ndeshja e parë, pasi mbrëmë në Ëanda Metropolitano luajtën baras 0-0 në ndeshjen shumë të tensionuar.

Ky kualifikim tutje ndaj një kundërshtari shumë të vështirë e ka gëzuar trajnerin e Cityt, Gurdiola, i cili nuk e ka fshehur gëzimin pas ndeshjes.

“Në këtë stadium, në këtë garë është gjithmonë e vështirë. Është një kompliment i madh për lojtarët”, ka thënë fillimisht Guardiola pas ndeshjes.

“Jam krenar sepse kundërshtari ishte shumë i mirë. Ne u përpoqëm të merrnim topin, por nuk arritëm. Me rastet që kishin ata mund të kishin shënuar gol”.

“Kjo është hera e tretë në historinë tonë në gjysmëfinale. Jemi në gjysmëfinale dhe për klubin tonë kjo është një arritje e pabesueshme”.

“Në pjesën e dytë të ndeshjes së dytë ata ishin shumë më mirë, por në të njëjtën kohë ne u mbrojtëm me gjithçka. Fernandinho ishte i shkëlqyer, na dha një shtysë të jashtëzakonshme dhe Nathan Ake gjithashtu”, përfundoi trajneri i Cityt.

Manchester City do të përballet me Real Madridin në gjysmëfinale, ndërsa ndeshja e parë do të zhvillohet më 26 prill.