Guardiola del në mbrojtje të Mendy: Mos e gjykoni shumë, ndoshta edhe ju do ta bënit të njejtën gjë

Pas raportimeve se Mendy ka shkelur rregullat anti-COVID-19, me udhëtimin e tij në New York, City doli me një deklaratë ku tha se do të hetojnë vet rastin pas dezinformimeve të medieve lidhur me rastin e ndodhur.

“Citizens” triumfuan ndaj Chelsea në “Stamford Bridge”, me rezultatin 3-1. Pas ndeshjes, Pep Guardiola u pyet për situatën me Mendy, pasi ky i fundit u pa në bankën rezervë, transmeton lajmi.net.

Spanjolli doli në mbrojtje të Mendy, ku tha se njerëzit e gjykojnë shumë ashpër atë, ndoshta do të vepronin njësoj.

“Sigurisht që nuk ishte veprim i mirë ajo që ai ka bërë, por mos e gjykoni shumë. Ndoshta shumë njerëz do kishin bërë të njëjtën gjë”, tha ai.

Kur u pyet nëse do ta linte jashtë mbrojtësin francez, si mënyrë ndëshkuese, ai e mohoi kategorikisht.

“Jo, ai është pjesë e grupit. Duhet të ketë mbështetje në grupin tonë. Ai është një djalë i veçantë për të gjithë ne, ai ka një zemër të madhe. Do të doja të shihja se sa njerëz e gjykojnë atë, nëse kanë qëllimet e mira siç i ka ai”, tha Guardiola.

“Do të ishte më mirë nëse, para se të gjykojmë të tjerët, të gjykojmë vetveten. Unë nuk jam duke e justifikuar atë, ai theu rregullat. Por mos u jepni shumë mësime të tjerëve. Ajo çfarë bëri është gabim, por mos i gjykoni shumë të tjerët, ndoshta do të bënit të njëjtën gjë edhe ju”, përfundoi Pep Guardiola.