“Grupi i zjarrit” zbret në terren, Mexhiti dhe Bexheti paralajmërojnë aktivitete në Studeniçan

Grupi i pakënaqur brenda BDI-së, i ahstuquajturi “Grupi i zjarrit” ka paraljmëruar takim me strukturat partiake të Degës së BDI-së në Studeniçan, përcjell TV21. Takimi do të realizohet gjatë ditës së nesërme në ora 19:00 ndërsa në të do të jenë prezent shumë funksionarë të lartë të BDI-së si Izet Mexhiti, Blerim Bexheti, Musa Xhaferi dhe Visar Ganiu.

“Të nderuar, ju njoftojmë se funksionarë të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim-BDI: Izet Mexhiti (nënkryetar i BDI-së dhe deputet), Blerim Bexheti (sekretar organizativ i BDI-së dhe kryetar i Komunës së Sarajit), Visar Ganiu (anëtarë i Kryesisë Qendrore të BDI-së dhe kryetar i Komunë së Çairit), Musa Xhaferi (kryetar i Këshillit mbikëqyrës të BDI-së), Nevzat Bejta(anëtar i Kryesisë Qendrore të BDI-së), Kastriot Rexhepi (deputet), Bashkim Hasani(zëvendës-ministër i Mbrojtjes), Adnan Ejupi(sekretar shtetëror në Ministrinë e Sistemit Politik), do të realizojnë takim me strukturat partiake të Degës së BDI-së në Studeniçan. Takimi do realizohet të shtunën (më datë 07.01.2023), me fillim në ora 19:00 në lokalin “SportPlus” që gjendet në Qendër të Studeniçanit, respektivisht përballë Xhamisë Qendrore”, thuhet në njoftim që u shpërnda në rrjetet sociale nga Blerim Bexheti dhe Izet Mexhiti.

Ndryshe, nënkryetari i BDI-së, njëherë edhe pjesëtarë i “Grupit të zjarrit”, Izet Mexhiti në konferencën për shtyp me 27 dhjetor tha se pas njoftimit të publikut me pakënaqësitë ndaj ekzekutivit, grupi “do të zbres në bazë”.

Të pyetur për hapat e radhës, me 29 dhjetor, burime nga ky grup i të pakënaqurve në BDI i thanë TV21 se pas Vitit të Ri menjëherë do të zbresin në bazë, kjo sipas tyre nënkupton komunikim i drejtpërdrejtë i grupit të zjarrit me degët e partisë, të cilëve do t’ua prezantojnë shqetësimet, sidomos për mosrealizim të programit si dhe kërkesat që kanë. Siç shihet tashmë sipas paralajmërimit, “Grupi i zjarrit” ka vendosur që të nis aktivitetin në terren pikërisht nga Studeniçani.