Gruevski shpëtoi edhe nga një ndjekje penale, u vjetërsua një pjesë e lëndës ‘Talir’

Ishkryeministri në arrati Nikolla Gruevski ka shpëtuar edhe nga një ndjekje penale, kjo për shkak se pjesa e lëndës ‘Talir’ ku ai ndiqej për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE-së është vjetërsuar, megjithatë akuza për larje parash mbetet ende, raporton Portalb.mk.

Me vjetërsimin e njërës pjesë, institucionet kompetente nuk kanë më mundësi të vazhdojnë procedurën penale për veprën konkrete.

Ky rast ka hapur përsëri debatin publik mbi efektet e ndryshimeve në Kodin Penal të vitit 2023 për keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Lidhur me këtë, dje foli prokurorja Lençe Ristoska e cila ndjek këtë lëndë. Ajo tha se “Prokuroria, pavarësisht vjetërsimit të veprës paraprake (keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autorizimeve për Nikolla Gruevskin dhe Kire Bozhinovskin), konsideron se nuk ka pengesa për ndjekjen e veprës penale ‘Larje parash dhe të ardhura të tjera nga vepra penale’, për të cilën vjetërsimi sipas ligjit ndodh në vitin 2035”.

Në “Talir 1” për larje parash mbeten të njëjtit të akuzuar: Nikolla Gruevski, Kire Bozhinovski, Ilija Dimovski, Leko Ristovski dhe Mile Janakieski.

Ky gjyq ka filluar që në shkurt të vitit 2019 dhe ende ndodhet në shkallën e parë.

Rasti “Talir”, ka të bëjë me financimin e paligjshëm të partisë politike VMRO-DPMNE. Akuza për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE e ngarkon ish liderin e saj, Nikolla Gruevskin për abuzim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe për pastrim parash dhe përfitime tjera në bazë të veprave penale. Kirill Bozhinovski dhe Mile Janakieski, akuzohen gjithashtu për të njëjtat dy krime, të dënueshme me burgim. Thuajse 4.9 milionë euro janë larë.

Me kalimin e viteve dhe pas ndryshimeve në Kodin Penal, u vjetërsuan lëndët TNT, për prishjen e kompleksit “Kosmos” dhe “Trajektorja”, për komisionet për ndërtimin e autostradave. Ndryshimet e shpëtuan edhe Gruevskin nga akuza për rastin “Shkupi 2014”, “Feniks”.

Ish-kryeministri mbetet i akuzuar për çështjet “Talir 1” dhe Talir 2”, mbi të cilat varet edhe paqartësia se si do të përfundojnë, si dhe në rastin “Titanik”, ku akuzohet për shpërdorim fondesh për financimin e fushatës zgjedhore dhe cenimin e të drejtës së votës.

Për shkak se ai ishte i padisponueshëm, atij iu pezullua edhe hetimi për ndërhyrjen e dhunshme në Kuvend të datës 27 prill 2017.

Të gjitha lajmet lidhur me këto raste i gjeni KËTU.