Grubi: Shënuam fitore spektakolare, si ajo e vitit 2014

Zv.kryeministri i parë, njëherësh sekratar organizativ i BDI-së, Artan Grubi, vlerëson se në zgjedhjet e së dielës Bashkimi Demokratik për Integrim ka shënuar fitore spektakolare, si ajo e vitit 2014. “Fitore spektakolare e qytetarëve dhe e Bashkimit Demokratik për Integrim e cila krahasohet me atë të vitit 2014 me 153.646 vota në zgjedhjet parlamentare. Të gjithë partitë tjera shqiptare bashkë nuk e kanë as dy të tretat e mbështetjes së BDI-së në këto zgjedhje. Qytetarët u përcaktuan për jetë, për ardhmëri, për progres dhe për parashikueshmëri të sigurt”, tha Grubi në një prononcim për Gazetën Lajm. Më tej ai tha se është herët të flitet për bashkëpunime zgjedhore për rrethin e dytë. “Jemi duke i analizuar votat dhe trendet, por një gjë është e sigurt, ne i kërkojmë, i presim dhe do të punojmë për ti fituar votat e të gjithë qytetarëve”, u shpreh Grubi për gazetën Lajm.