Grubi priti në takim lamtumirës ambasadorin e Greqisë Dimitris Janakakis

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi priti sot në takim lamtumirës ambasadorin e Greqisë, z. Dimitris Janakakis me të cilin biseduan për çështjet aktuale në vend dhe rajon si dhe për projektet përmes të cilave në mënyrë shtesë do të thellohet bashkëpunimi midis dy vendeve.

Grubi dhe ambasadori Janakakis gjatë këtij takimi biseduan rreth zbatimit të Marrëveshjes së Prespës me ç’rast u dakorduan se të dy vendet do të respektojnë obligimet që dalin nga kjo marrëveshje.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se Marrëveshja e Prespës duhet të merret si një shembull i mirë për tejkalimit e kontesteve të ndryshme në rajon dhe botë.

Ambasadori grek Janakakis i tha zëvendëskryeministrit të parë Grubi se Republika e Maqedonisë së Veriut mund të llogarisë në përkrahjen greke sa i përket procesit të implementimit të të gjitha reformave të nevojshme me qëllim anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi dhe ambasadori grek Janakakis këmbyen mendime edhe rreth ndërtimit të linjës së interkoneksionit të gazit midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, projekt ky që do të rrisë konkurrencën dhe sigurinë e furnizimit të vendit tonë me gaz natyror, por gjithashtu do të përmirësojë edhe konkurrencën e ekonomisë në përgjithësi në mbarë rajonin, ku Maqedonia e Veriut do të bëhet qendër energjetike në Ballkan, përmes së cilës vendet e tjera fqinje do të furnizoheshin me gaz.

Grubi dhe Janakakis në fund të këtij takimi lamtumirës ranë dakord që të dy vendet duhet të vazhdojnë të mbajnë marrëdhënie të mira dhe të angazhohen me qëllim promovimin e bashkëpunimit në të gjitha sferat, në veçanti në fushën e ekonomisë, që është në interes të të gjithë qytetarëve në të dy vendet.