Grubi-Osmani: Bashkë duhet të përshpejtojmë hapin drejt Europës

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi janë takuar sot me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Grubi theksoi se në çastet vendimtare për të ardhmen europiane të dy vendeve, është më se e rëndësishme të përforcojmë bashkëpunimin dhe të konsolidojmë veprimet në rrugën e realizimit të reformave.

“Në çastet vendimtare për të ardhmen europiane të vendeve tona është më se e rëndësishme të përforcojmë bashkëpunimin dhe të konsolidojmë veprimet në rrugën e realizimit të reformave. Shprehëm qëndrimin dhe mbështetjen tonë ndaj tejkalimit me sukses përmes dialogut dhe parimit të njohjes së ndërsjelltë të kontestit mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç Republika e Kosovës përkrah procesin tonë të dialogut me Republikën e Bullgarisë dhe miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Bashkë duhet të përshpejtojmë hapin drejt Europës”, theksoi Grubi. (INA)