Grubi: Mos etiketoni!

“Thjesht po ju lus mos ngjitni etiketime se as ne dhe as ju nuk jemi organe hetimore. Kushdo që ka diçka mund t’i paraqesë në Prokurorinë Publike, përfshirë edhe opozitën”, theksoi zëvendëskryeministri Artan Grubi, i pyetur për mbikëqyrjen e ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10d.

Grubi tha se procedura për përzgjedhjen e mbikëqyrjes është e paraparë në ligjin e posaçëm të cilin e kanë përkrahur të gjitha partitë në Kuvend.

“Procedurën e kryen NP “Rrugët Shtetërore”, jo Qeveria. IRD është një konsorcium i përbërë nga IRD, Eptisa dhe dy kompani të tjera, por kryesorja është IRD. Është gënjeshtër absolute se qeveria ka nënshkruar marrëveshje me Eptisa. Ju, publiku dhe opozita, fajësoni një kompani për një tender në vitin 2020 dhe e lidhni me mbikëqyrjen në këtë projekt, që janë gjëra krejtësisht të ndryshme”, tha Grubi dhe kërkoi që të mos hidhet njollë në një projekt kaq të madh infrastrukturor.

“Unë jam zëvendëskryeministër në Qeveri, procedurën e udhëheq Shërbimet për Punë të Përgjithshme Publike të Qeverisë. Si mund të bëhem pronar, kur nuk ka pikë kontakti me atë procedurë”, shtoi zëvendëskryeministri Grubi.

Tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në Korridoret 8 dhe 10-d e fitoi grupi i kompanive të udhëhequra nga “IRD Inzhinjering” në bashkëpunim me “Elektra Konsallting”, “EPTISA” dhe “Evro Konsallting”.

Dimitrijeviq si themelues i kompanisë “Evro Konsallting” akuzohet për mashtrim në Armeni dhe i arrestuar në Kroaci më 21 prill 2021 me flet-arrest ndërkombëtarë të lëshuar nga Interpoli. Akuzat e autoriteteve armene i referohen punimeve në Korridon Veri-Jug kur Dimitrijeviq ishte “team leader” i konzorciumit franko-spanjoll “Savezh-EPTISA”. Organet e ndjekjes penale në Armeni, Dimitrijeviqin e akuzojnë edhe për kalim ilegal të kufirit armen dhe përdorim të dokumentit të rrejshëm për udhëtim. (INA)