Grubi: Kryeministri mund të jetë shqiptar, asgjë e keqe nuk i ndodh këtij shteti

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi vlerëson se zgjedhjet e rregullta parlamentare janë afër dhe se si rrjedhojë nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, përcjell TV21. Grubi tha se VMRO-DPMNE-ja ende e ka në tavolinë ofertën që BDI ta lëshojë Qeverinë, që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, në këmbim të votimit të ndryshimeve kushtetuese. I pyetur nëse BDI do të heqë dorë nga kryeministri i parë shqiptar nëse nuk shkohet në zgjedhje të parakohshme, Grubi tha:

“Sa i përket kandidaturës, se kush është kandidati potencial, besoj që emri është fare i parëndësishëm, me rëndësi është që të thehen tabutë e vendeve të rezervuara vetëm për një etni në Maqedoninë e Veriut, por ashtu siç mund të jetë një kryetar Kuvendi shqiptar, një kryetar i Gjykatës Supreme shqiptar, një kryetar Gjykatës Kushtetuese shqiptar, një kryetar federate të futbollit shqiptar, i Gjykatës Administrative, një ministër i Jashtë, ministër i Brendshëm, një i Mbrojtjes, apo çfarëdo pozite tjetër, edhe kryeministri mund të jetë shqiptar dhe nuk i ndodh asgjë e keqe këtij shteti”, deklaroi Grubi.