“Grubi dhe Osmani jashtë Qeverisë”! Mexhiti: Nuk mund ta përfaqësojnë elektoratin e BDI-së në Shkup

 

Nga ajo që sheh nga jashtë, Izet Mexhiti, nuk sheh arsye urgjente për rikonstruim të Qeverisë, por në një situatë të tillë, nënkryetari kritik i BDI-së mendon se zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe Ministri i Jashtëm Bujar Osmani nuk do të duhet të ishin më në postet e tyre.

“Unë mund të flas më me kompetencë rreth Shkupit, Çairit, degë që janë të rëndësishme që kanë kontribuuar në këtë fitore me 1/3 e votave. Mendoj se z.Grubi dhe z.Osmani nuk janë ata që mund të përfaqësojnë në mënyrë kredibile elektoratin e BDI-së në Shkup”, deklaroi për TV21, Izet Mexhiti – nënkryetar i BDI-së.

 

 

Nuk është çështja vetëm tek emrat, por edhe programi i Qeverisë dhe ai i BDI-së, shprehet Mexhiti, duke kërkuar që të hapet debati për ballafaqim argumentesh. Mes dyshimeve që ka është edhe punësimi i ulët i shqiptarëve në institucione.

“Fundi fundit është zëvendëskryeministër dhe udhëheq Sistemin Politik, sa çështje politike janë avancuar brenda kësaj periudhe, sa investime kapitale ka në këtë periudhë, si është çështja e disperzimit të të punësuarve që përflitet por edhe ajo nuk u përmbyll, sa është përqindja e punësimit të shqiptarëve në organet qeveritare, ministri, drejtori, agjenci, në bazë të informatave që unë i kam është shumë i ulët, pra është minor përfaqësimi i shqiptarëve”, u shpreh në emisionin “10Minuta” në TV21, nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti.

Mexhiti thotë se pakënaqësi sheh edhe në degët e tjera të partisë, për të cilat nuk flet sepse kërkon t’u lë hapësirë që ato vet të flasin. Domosdo që mosunifikimi i integristëve mund të dëmtojë në zgjedhjet lokale dhe kjo mund të shkojë në favor të opozitës shqiptare, por sipas tij, përgjegjësinë për këtë e kanë ata që udhëheqin proceset.

TV21 nga burime partiake ka mësuar se një rekonstruim mund të ndodhë në fund të majit ose fillim të qershorit. Kryeministri Zoran Zaev dje i pyetur për këtë tha se nuk mendon se duhen ndryshime në kabinet, që është formuar para rreth 8 muajsh.