Grubi: BDI do të shkojë e vetme në zgjedhje, opozita shqiptare të bashkohet

Sekretari organizativ i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Artan Grubi pas seancës së Kryesisë qendrore të partisë e ka përcjellë qëndrimin se do të shkojnë të vetëm në zgjedhje më 12 prill, ndërsa ka porositur opozitën e bllokut politik shqiptarë që të bashkohet.

“BDI është parti më e madhe shqiptare dhe në këto zgjedhje do të shkojë e vetme, pa koalicione as me parti maqedonase e as shqiptare. Përkundrazi, i ftojmë partitë politike shqiptare në opozitë të bashkohen, të mos humbin shqiptarët vota dhe potencial të deputetëve në Kuvend. Shpresojmë se ata do të arrijnë të bashkohen që të mos humbin shqiptarët. Në çdo rast, këtu është BDI e cila do t’i fitojë zgjedhjet dhe mendoj se do t’i përfaqësojmë ashtu siç i kemi përfaqësuar shqiptarët në 17 vitet e kaluara në mënyrë dinjitoze”, ka thënë Grubi.

Në pyetjen e gazetarëve rreth informacioneve në opinion se në Qeverinë teknike nuk do të ketë ministra të BDI-së, Grubi me përgjigje se partia e tij është kryesore për procese politike në Maqedoni pa dallim të funksioneve.

“BDI ka qenë faktor vendimtar për formimin e kësaj shumice parlamentare. Atje ku ka vendosur BDI, atje janë formuar shumica parlamentare dhe kjo Qeveri. Votat e BDI-së kanë qenë vendimtare të arrihet deri te ndryshimi i emrit, marrëveshja me Bullgarinë, barazia gjuhësore. Edhe te reformat në gjyqësi dhe anëtarësimi në NATO, pasi ashtu ka vendosur Ali Ahmeti dhe BDI. Bashkë kemi qenë këtu më 29 janar 2017 kur ne sollëm vendim Maqedonia sot të jetë para dyerve të NATO-s me reforma gjyqësore me barazi gjuhësore, me emër të ndryshuar, me Kushtetutë të ndryshuar, me marrëveshje me Bullgarinë. Për ne janë të parëndësishme funksionet. Do t’i fitojmë absolutisht zgjedhjet më 12 prill dhe do të kemi situatë identike si më 2016, me më shumë deputetë të BDI-së, por me rol vendimtar dhe përcaktues të Ali Ahmetit për Qeveri të ardhshme në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Grubi.

Për pohimet e presidentit Stevo Pendarovski të respektohen rekomandimet e Komisionit të Venecias, ai ka thënë se si BDI janë të gatshëm të bisedojnë për ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve për zbatimin e dispozitave të ligjit për përdorimin e gjuhëve.

“Atë e rekomandon Komisioni i Venecias, të ketë kapacitete në institucionet. Ne konsiderojmë se derisa krijohen kushtet, ka mjete në shtet që të hapen ato kushte edhe në gjyqësi dhe institucione tjera që të implementohet ai ligj”, ka thënë deputeti nga radhët e BDI-së, Artan Grubi.

Ky takim i Kryesisë ka qenë i fundit para Kongresit të katërt të shtunën më 21 dhjetor.

“Sot të gjitha propozim- listat për anëtarë të Kuvendit të përgjithshëm, Këshillit nacional, Komisionit zgjedhor partiak, Këshillit mbikëqyrës dhe anëtarëve të përhershëm të Kongresit, janë pjesë e delegatëve të Kongresit të ardhshëm. Në atmosferë festive është votuar, ka përkrahje nga gjitha degët dhe do t’i propozojmë ashtu edhe në Kongres. Me qëndrime të harmonizuara do të veprojmë në Kongresin e katërt”, ka thënë Grubi.

Në mbledhjen janë caktuar pesë përcaktime të reja programore, ndryshimet në statut si dhe listat për organet e partisë për Kongresin.