Pavarësisht që shkollat nuk japin numër të saktë të nxënësve që mungojnë për shkak të gripit stinor, vet nxënësit tregojnë situatën epidemiologjike nëpër shkolla.
Në një anketë për Alsat, ata thonë se për shkak të viruseve dhe gripit stinor, thuajse në çdo klasë mungojnë nga pesë e më shumë nxënës.
“Ne të gjithë në klasë jemi 22, ndonjëherë mungojnë, vijnë 15 nxënës, mungojnë nga gripi”, tha një nxënëse.
“Sa nxënës jeni në klasë? 32. A po vëreni mungesë të nxënësve dje edhe sot? Pak..4 vetë. Kanë tregu se pse? Po, kanë qenë të sëmurë”, u shpreh një nxënës.
“A po mungon dikush? Ndonjëherë po se janë të sëmurë me grip”, tha një nxënëse.
“Kanë munguar disa se vërtet kanë qenë të sëmurë prej gripit, njëri e ka thyer këmbën. Po mbrohemi, po i pastrojmë duart më shpesh”, tha një tjetër nxënës.
Derisa të rriturit dhe fëmijët po kalojnë ditë të tëra me ethe dhe temperaturë mjekët kërkojnë përgjegjshmëri maksimale nga prindërit.
“Dua t’u bëj thirrje prindërve në rast se fëmija i tyre shfaq simptoma si rrjedhje nga hundët, kollë I thatë, temperaturë e lartë, ta izolojnë, të mos e lëshojnë në shkollë. Të presin 48 orë për të parë se si po zhvillohet pasqyra klinike. Të përdorin paracetamol ose brufen për ulje të temperaturës, elektrolite dhe sasi të mëdha lëngjesh dhe pastaj të paraqiten për kontroll te mjeku amë ose ta vizitojnë spitalin tonë nëse gjendja përkeqësohet”, tha Filip Doksimovski, mjek, Spitali i Fëmijëve Kozle.
Pavarësisht shqetësimeve për gripin, reshjet e borës, posaçërisht në Shkup, sollën një valë optimizmi për heqje të virozëve.
Për nxënësit, bora ishte një moment argëtimi që ua riktheu buzëqeshjen ndërsa për ekspertët shëndetësorë një shpresë e madhe se temperaturat e ulëta dhe lagështia e borës do të ndihmojnë në ngrirjen e përhapjes së virusit dhe pastrimin e ambientit nga bakteret./ Alsat.mk



