Avionët dhe helikopterët që hedhin ujë vazhduan të hënën të ndihmonin qindra zjarrfikës që po luftonin me një zjarr të madh pyjor në perëndim të Athinës, një ditë pasi një përplasje në ajër mes dy helikopterëve zjarrfikës shkaktoi vdekjen e dy anëtarëve të ekuipazhit.
Përplasja nxori në pah rrezikun në frontin më kritik të emergjencës së zjarreve pyjore në Evropë.
Flakët depërtuan më thellë në rajonin e kryeqytetit grek, duke detyruar evakuime të reja në orët e para të së hënës.
Pranë Porto Germenos, të hënën u pa një helikopter duke hedhur ujë mbi kodrat që digjeshin.
Erërat e forta po dobësohen të hënën, duke rritur shpresat se rreth 500 zjarrfikësit që po luftonin me zjarrin mund të arrinin ta ndalonin përhapjen e tij.
Megjithatë, autoritetet kanë paralajmëruar se rajoni më i gjerë i Athinës, Atika, mbetet në rrezik të lartë për zjarre pyjore për shkak të rritjes së parashikuar të temperaturave.
Më shumë se 1,000 njerëz janë evakuuar nga rajoni, përfshirë mbi 250 që u shpëtuan me varka nga plazhet e zonës.
Urdhra evakuimi janë dhënë në orët e para të së hënës për tri zona të tjera, ndërsa ekipet punonin për të krijuar breza mbrojtës (hapësira pa bimësi) në pyll për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së zjarrit.



