Greqia sot do ta komunikojë listën me vendet e treta për shtetasit e të cilëve do të lejojë hyrje

Greqia nesër zyrtarisht do të hapë disa prej pikave kufitare me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bullgarinë dhe Turqinë, por gjatë ditës së sotme do të dihet nëse kjo do të thotë edhe leje për hyrje tek fqinji jugor për shtetasit maqedonas, shqiptarë dhe turq, duke pasur parasysh se ata janë nga vendet e treta, jashtë BE-së.
Fqinji jugor i pret vendime në nivelin evropian, gjegjësisht çka do të vendosin anëtaret e Unionit, që më pas ta komunikojë edhe pozicionin grek.
Lidhur me lidhjet ajrore, detare dhe tokësore nga dhe drejt Greqisë me vendet që nuk janë në BE, burimet e Qeverisë greke, mbrëmë, siç raportoi nga MIA informuan se lista e vendeve të treta për të cilat Greqia do të lejojë hyrjen, do të do të finalizohen sot, pasi të përfundojnë konsultimet në nivelin e Bashkimit Evropian për çështjen specifike.
Zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Pecas në brifingun e djeshëm me gazetarë, siç publikoi tashmë MIA, shpjegoi se ata janë në pritje të vendimeve të Bashkimit Evropian për hyrjen e shtetasve të vendeve të treta, dhe tha se bëhet fjalë për një diskutim të vështirë dhe se të gjitha vendet duhet të pajtohen, por theksoi se nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje në nivel Evropian, Greqia do ta kumtojë qëndrimin e saj.
Mediat në Greqi, ditët e kaluara, duke iu referuar burimeve të BE-së, shkruanin se për një numër të vendeve të treta ndalesa e fluturimeve në vendet e BE-së do të vazhdojë, ndërsa në mesin e vendeve për të cilat vlen ndalimi, u përmend Maqedonia e Veriut.
Greqia, nesër do të hapë 27 aeroporte rajonale për fluturime ndërkombëtare, shtatë vendkalime kufitare tokësore dhe shtatë porte për hyrje.
Nga pikat kufitare do të hapen një me Maqedoninë e Veriut (Evzoni) dhe nga dy me Shqipërinë, Bullgarinë dhe Turqinë./MIA