Greqia refuzon ta ekstradojë në RMV Aco Bocevskin ‘Cigani’, i dënuar për vrasje në 1997

Gjykata e Selanikut vendosi të mos e ekstradojë 60-vjeçarin, shtetas të Maqedonisë së Veriut, Aco Bocevski i njohur si ‘Cigani’, i cili u arrestua në Greqi në maj 2025 pas një urdhër-arresti evropian për një vrasje të kryer para 28 vitesh, transmeton Portalb.mk

Gjykata e hodhi poshtë kërkesën e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për shkak të vjetërsimit të lëndës dhe i hoqi masën e arrestit.

Duke e arsyetuar vendimin, gjykata në Selanik theksoi se, meqë dënimi është dhënë para më shumë se 20 vitesh, sipas së drejtës penale greke është bërë vjetërsimi i vuajtjes së dënimit.

Para gjykatës, Bocevski ka deklaruar se në periudhën kur ka ndodhur vepra ai ishte pjesë e sigurimit personal të presidentit të atëhershëm, Kiro Gligorov, dhe ka pohuar se ishte viktimë e përndjekjes politike. Ai ka treguar se pas vrasjes ka qenë në paraburgim 90 ditë dhe, pasi është liruar, ka përdorur pasaportën e vlefshme për të ikur në Greqi.

Bocevski u dënua për vrasjen e Seat Ibraimit, të kryer në mes të ditës në nëntor të vitit 1997 në qendër të Shkupit. Vrasjes i parapriu një ndjekje e shkurtër me makina nëpër rrugët e Shkupit, pas së cilës Ibraimi, duke drejtuar një Mercedes, doli nga rruga pranë ndërtesës së kompanisë së sigurimeve “Qubi”. Bocevski, i cili po ngiste një Corvette, u ndal pas tij, doli nga automjeti dhe me gjakftohtësi qëlloi Ibraimin me disa të shtëna, duke zbrazur një karikator të tërë nga arma.

Edhe pse i dënuar, Bocevski iku pasi iu dha arrest shtëpiak dhe i shpëtoi me sukses zbatimit të ligjit për vite me radhë. Një nga urdhër-arrestet ndërkombëtare më të vjetra u lëshua për të në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme.