Greqia heq karantinën gjatë sezonit turistik për 30 vende

Greqia ka bërë një hap përpara drejt rihapjes së turizmit, duke hequr detyrimin e karantinës për vizitorët që vijnë nga mbi 30 vende, për sa kohë që ata janë vaksinuar kundër koronavirusit ose kanë rezultuar negativisht në testimin për Covid-19 jo më gjatë se 72 orë para hyrjes së tyre në vend.

Vendimi u njoftua nga një zyrtar i Ministrisë së Turizmit.

Nga e hëna e ardhshme, vendet e Bashkimit Evropian por edhe udhëtarët nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Serbia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli nuk do t’i nënshtrohen më izolimit.

Qytetarët e vendeve të lejuara për të hyrë në Greqi do të jenë në gjendje të arrijnë në destinacionin e tyre përfundimtar përmes 9 aeroporteve.

Ministri i Turizmit i Greqisë Haris Theoharis ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e rihapjes së kufirit për qytetarët e vendeve të treta për të ndihmuar sektorin e turizmit të rimëkëmbet nga dëmtimet e pandemisë COVID-19.

Zyrtarisht, sezoni turistik veror i këtij viti në Greqi, siç theksohet në mënyrë të përsëritur nga ministri kompetent Haris Theocharis, do të fillojë më 14 maj 2021, ku qytetarët nga vendet e tjera të huaja do të lejohen të hyjnë, me kusht që të kenë imunitet, ose një test negativ të COVID.

Më parë, Greqia hoqi kufizimet e saj në fluturimet me tre vendet fqinje, duke lejuar shtetasit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë të arrijnë në Greqi përmes ndonjë prej aeroporteve të saj.