Greqi, Kryqi i Kuq dënon përdorimin e migrantëve si armë politike

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, Francesco Rocca, e vlerësoi sot si të papranueshme që migrantët e grumbulluar në kufirin greko-turk të përdoren si armë politike dhe i bëri thirrje BE-së që të respektojë dinjitetin njerëzor.

“Qeniet njerëzore janë trajtuar si armë dhe mjete politike. Kjo është e papranueshme”, tha Rocca, pas një vizite në zonën tampon midis Greqisë dhe Turqisë në Kastanies.

“Apeli ynë i drejtohet Bashkimit Europian në mënyrë që ai të veprojë ndryshe në lidhje me dinjitetin njerëzor”, shtoi ai.

Mijëra migrantë janë mbledhur që nga e premtja e kaluar përgjatë kufirit midis Turqisë dhe Greqisë, porta për në BE, por Athina i ka mbyllur kufijtë e saj dhe ka vendosur në kufi një numër të madh forcash policore dhe ushtarake.