Grenell: Nëse Kurti do që amerikanët të mbrojnë sigurinë e rajonit me NATO-n, të ndalojë lëvizjet e njëanshme

Ish-emisari special amerikan për dialogun nga Administrata Trump, Richard Grenell, po e quan ‘’sjellje të çrregullt’’, vendimin e kryeministrit Albin Kurti, për veprimet me rregulloren e re të BQK-së.

Kjo pas kërkesës së ndërkombëtarëve për ta shtyrë hyrjen në fuqi të saj, meqë u tha se zbatimi i saj pritet të nis nesër, transmeton klankosova.tv.

Lidhur me këtë, Grenell shkruan në X se Kurti duhet të ndalojë së vepruari njëanshëm nëse dëshiron që amerikanët të mbrojnë sigurinë e rajonit përmes trupave të NATO-s.

”Nëse Albin Kurti dëshiron që amerikanët të vazhdojnë të paguajnë dhe të mbrojnë sigurinë e rajonit përmes trupave të NATO-s, atëherë ai duhet të ndalojë së bëri lëvizje të njëanshme që rrezikojnë sigurinë e 572 burrave dhe grave amerikane nga Teksasi, Oklahoma, Iowa, Rhode Island (dhe së shpejti do të jetë Gjeorgjia ) që aktualisht shërben në Kosovë”.

”Sjellja e tij e çrregullt duke injoruar kërkesat e komunitetit ndërkombëtar nuk mund të hidhet poshtë më nga ekipi Biden dhe Senati i SHBA. Ai po rrezikon jetën e amerikanëve me veprimet e tij. Ai duhet të ndalojë luftën e tij – ose trupat amerikane duhet të tërhiqen në shtëpi për shqetësime sigurie”.