Përfaqësimi i grave në prokuroritë publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut po shënon një ndryshim të dukshëm, duke reflektuar trend pozitiv drejt balancës midis burrave dhe grave në sistemin e drejtësisë. Të dhënat e fundit, të publikuara në raportin vjetor të Këshillit të Prokurorëve Publikë, tregojnë se gratë tashmë përbëjnë shumicën e trupës prokuroriale në nivel vendi. Sipas këtyre të dhënave, në total janë 194 prokurorë publikë, nga të cilët 107 janë gra, që përbëjnë 55% të numrit të përgjithshëm. Në anën tjetër, burrat janë 87, ose 45%, duke mbetur në pakicë, raporton Portalb.mk.
Kjo epërsi e grave është veçanërisht e theksuar në disa prej institucioneve më të mëdha. Në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit, gratë dominojnë ndjeshëm, ndërsa në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ato përbëjnë shumicën dërrmuese të stafit prokurorial. Po ashtu, në disa qytete si Velesi, i gjithë stafi i prokurorëve përbëhet nga gra, duke e bërë këtë një rast unik në nivel vendi.
Ashtu sikurse me disa prokurori që dominohen vetëm nga gratë, në prokurori të caktuara, si në Tetovë apo Koçan, dominojnë burrat.
Në infografikun më poshtë janë të paraqitur në numër dhe përqindje, përfaqësimi i grave dhe burrave në Prokuroritë e Maqedonisë së Veriut.
Përfaqësimi i burrave dhe grave në Prokuroritë e RMV-së. Foto e gjeneruar me IA/Copilot nga Portalb.mk
Përfaqësimi i burrave dhe grave në Prokuroritë e RMV-së. Foto e gjeneruar me IA/Copilot nga Portalb.mk
Në vijim përcjellim përfaqësimin midis burrave dhe grave sipas Prokurorive përkatëse:
Në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, funksionin e prokurorit publik e kryenin gjithsej 10 prokurorë publikë, nga të cilët 7 janë burra dhe 3 janë gra.
Në Prokurorinë e Lartë Publike të Shkupit,nga gjithsej 12 prokurorë publikë, 7 janë burra dhe 5 janë gra.
Në Prokurorinë e Lartë Publike të Manastirit, nga gjithsej 3 prokurorë publikë, 2 janë burra dhe 1 grua.
Në Prokurorinë e Lartë Publike të Gostivarit, nga gjithsej 7 prokurorë publikë, 5 janë burra dhe 2 gra.
Në Prokurorinë e Lartë Publike të Shtipit, nga gjithsej 5 prokurorë publikë, 2 janë burra dhe 3 janë gra.
Në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nga gjithsej 13 prokurorë publikë, 2 janë burra dhe 11 janë gra.
Në Prokurorinë Themelore Publike të Manastirit, nga gjithsej 6 prokurorë publikë, 2 janë burra dhe 4 janë gra.
Në Prokurorinë Themelore Publike Berovë funksionin e prokurorit publik e mban një prokurore publike, femër.
Në Prokurorinë Themelore Publike Gjevgjeli, funksionin e prokurorit publik e mbajnë 2 prokurore publike, të dyja gra.
Në Prokurorinë Themelore Publike Gostivar, nga gjithsej 9 prokurorë publikë, 4 janë burra dhe 5 janë gra.
Në Prokurorinë Themelore Publike të Dibrës, funksionin e prokurorit publik e kryejnë 2 prokurorë publikë, nga të cilët 1 është mashkull dhe 1 grua.
Në Prokurorinë Themelore Publike të Dellçevës, funksionin e prokurorit publik e kryen një prokuror publik, mashkull.
Në Prokurorinë Themelore Publike të Kavadarit, nga gjithsej 5 prokurorë publikë, 2 janë burra dhe 3 gra.
Në Prokurorinë Themelore Publike të Kërçovës, nga gjithsej 3 prokurorë publikë, 1 është burrë dhe 2 gra.
Në Prokurorinë Themelore Publike Koçan, gjithsej 3 prokurorë publikë, të gjithë burra.
Në Prokurorinë Themelore Publike Kumanovë, gjithsej 12 prokurorë publikë, nga të cilët 7 janë burra dhe 5 gra.
Në Prokurorinë Themelore Publike Ohër, nga gjithsej 7 prokurorë publikë, nga të cilët 4 janë burra dhe 3 gra.
Në Prokurorinë Themelore Publike Prilep, nga gjithsej 5 prokurorë publikë, 2 janë burra dhe 3 gra.
Në Prokurorinë Themelore Publike Radovish, funksionin e prokurorit publik e kryente një prokurore publike, grua.
Në Prokurorinë Themelore Publike Shën Nikollë, funksionin e prokurorit publik e kryente një prokuror publik, burrë.
Në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit, nga gjithsej 65 prokurorë publikë, 23 janë burra dhe 42 janë gra.
Në Prokurorinë Themelore Publike të Strugës, sipas sistematizimit, janë paraparë 6 vende pune si prokuror publik, ndërsa pozicionin e prokurorit publik e kryenin gjithsej 4 prokurorë publikë, nga të cilët 2 janë burra dhe 2 janë gra sipas gjinisë, dhe 1 maqedonas dhe 3 shqiptarë sipas kombësisë.
Në Prokurorinë Themelore Publike Strumicë, nga gjithsej 7 prokurorë publikë, 3 janë burra dhe 4 janë gra.
Në Prokurorinë Themelore Publike Veles, nga gjithsej 7 prokurorë publikë, të gjitha janë gra.
Në Prokurorinë Themelore Publike të Tetovës, nga gjithsej 9 prokurorë publikë, 7 ishin burra dhe 2 gra.
Në Prokurorinë Themelore Publike të Shtipit, nga gjithsej 7 prokurorë publikë, 1 burrë dhe 6 gra.
Kujtojmë se viti 2025 shënoi një periudhë të trazuar për sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, me ngërçet strukturore, ndërhyrjet politike dhe mungesën e resurseve që prej vitesh e dëmtojnë funksionimin e mirëfilltë të gjyqësorit. Nga presioni i hapur ndaj Këshillit Gjyqësor dhe përplasjet rreth Prokurorisë Publike, te kritikat e ashpra të Bashkimit Evropian, ShBA-së dhe organizatave ndërkombëtare, ky vit nxori në pah brishtësinë e pavarësisë gjyqësore dhe stagnimin e reformave që mbeten thelbësore për integrimin evropian të vendit.



